Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka ngritur shqetësime pasi Zyra e Kryeministrit (ZKM) nuk iu përgjigj kërkesës së saj për qasje në dokumente publike mbi dorëheqjet e pjesëtarëve të Qeverisë në detyrë që kanë fituar mandate në Kuvendin e Kosovës.
Të lidhura
None found
Organizata bën të ditur se më 6 gusht 2026 i kërkoi ZKM-së listën e anëtarëve të Qeverisë që janë larguar nga detyra, datat kur janë paraqitur dorëheqjet dhe vendimet përmes të cilave ato janë pranuar.
Si bazë për këtë kërkesë, GLPS ka përmendur Ligjin për Qeverinë. Ky ligj parasheh që anëtari i Qeverisë në detyrë, pasi zgjidhet deputet, duhet të largohet nga posti ministror përpara ditës kur certifikohen rezultatet zgjedhore. Organizata ka theksuar gjithashtu se neni 72 i Kushtetutës nuk lejon që funksionet e ministrit dhe deputetit të ushtrohen në të njëjtën kohë.
Në qëndrimin e saj, GLPS është thirrur edhe në vendimin P.A.nr.09/2025 të Gjykatës Supreme, të datës 25 qershor 2025. Sipas organizatës, në këtë vendim është konstatuar se mbajtja njëkohësisht e të dyja funksioneve bie ndesh me Kushtetutën.
GLPS pretendon se ZKM-ja nuk dha përgjigje brenda afatit ligjor shtatëditor që përcakton Ligji për Qasje në Dokumente Publike. Organizata vlerëson se, përveç mosrespektimit të këtij afati, një veprim i tillë dëmton edhe transparencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.
Pas mungesës së përgjigjes, GLPS njoftoi se më 17 gusht dorëzoi ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP). Përmes saj, organizata kërkon që ZKM-ja të detyrohet t’i vërë në dispozicion të dhënat dhe dokumentet e kërkuara.
Njëherësh, GLPS i ka kërkuar Qeverisë që, pa vonesa, ta njoftojë opinionin publik dhe t’i publikojë dokumentet që kanë të bëjnë me dorëheqjet e anëtarëve të kabinetit të zgjedhur deputetë.
