Pretendimet e administratës Trump se situata ekonomike e amerikanëve është përmirësuar gjatë vitit të kaluar janë vënë në pikëpyetje nga një sondazh i Financial Times.
Të lidhura
None found
Votuesit e regjistruar u pyetën nëse, nga ana financiare, ndiheshin më mirë apo më keq që prej janarit 2025, kur Donald Trump mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë. Përgjigjja ishte e qartë: 53% deklaruan se gjendja e tyre financiare është përkeqësuar pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
E njëjta pakënaqësi vërehet edhe te votuesit e pavarur, 57% e të cilëve thonë se janë në një pozitë më të keqe financiare. Po ashtu, pakënaqësi shpreh edhe një e katërta e votuesve republikanë.
Anketa është publikuar më pak se tre muaj përpara zgjedhjeve të mes mandatit në SHBA dhe sinjalizon se inflacioni e kostoja e jetesës po shndërrohen në tema me peshë elektorale. Ndonëse inflacioni aktual qëndron në 3,4%, nivel më i ulët se ai i disa periudhave gjatë mandatit të Bidenit, votuesit amerikanë duket se u besojnë më shumë demokratëve për administrimin e inflacionit dhe kostos së jetesës.
Demokratët kanë kaluar për herë të parë në avantazh edhe për çështjet që lidhen me ekonominë dhe punësimin, dy fusha ku tradicionalisht kanë qenë më të favorizuar republikanët. Këto rezultate janë një paralajmërim shqetësues për Trumpin dhe Partinë Republikane, pasi situata ekonomike dhe shpenzimet e jetesës mund të ndikojnë drejtpërdrejt te rezultati i zgjedhjeve të nëntorit.
