Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osman, e ka përshëndetur hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, si dhe bartjen e përgjegjësive te Policia e Kosovës.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Osmani deklaroi se këto veprime shënojnë një hap me rëndësi për integrimin e plotë të të gjitha pjesëve të territorit të Kosovës dhe për fuqizimin e rendit dhe të ligjit.
Sipas saj, për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës nuk shkaktoi vetëm pasiguri dhe vështirësi në sundimin e ligjit, por krijoi mundësi edhe për spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre. Njëkohësisht, siç theksoi ajo, kjo situatë i shërbeu Serbisë si alibi për të vijuar synimet e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës.
Osmani vlerësoi se lëvizja e lirë nëpër urën kryesore mbi Ibër, përtej afrimit të njerëzve, përfaqëson para së gjithash një moment historik në kundërshtimin e përpjekjeve të Serbisë për gllabërimin e territoreve.
Ajo shtoi se, megjithëse ky zhvillim ka ardhur pas vonesash të mëdha, do të ndikojë në ngritjen e nivelit të sigurisë dhe në forcimin e paqes së qëndrueshme në vend.
Në fund, Osmani shprehu mirënjohje për të gjitha institucionet që janë angazhuar ndër vite për të arritur deri në këtë pikë, duke veçuar Policinë e Kosovës, e cila, sipas saj, vazhdon të mbajë përgjegjësinë kryesore për sigurinë në çdo pjesë të territorit dhe për secilin qytetar të vendit.
