Ministria e Mbrojtjes, ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, janë raportuar gjithsej 33 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 5 të tjera janë në monitorim.
Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 535 forca operacionale dhe 51 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura, kanë mbështetur operacionet me 100 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Të lidhura
None found
Mali i Dajtit, Tiranë – vijon puna me 15 efektivë të MZSH, 10 forca të ADZM, 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatrat në Priskë dhe Vakumone janë nën kontroll dhe po monitorohen.
Gurë-Lurë, Dibër – vijon një angazhim i gjerë me 115 forca bashkiake, 13 policore, 11 ADZM, 14 efektivë MZSH, 7 vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qafë Helmës dhe Bruç – puna vijon në terren të vështirë; nga krahu i Bulqizës zjarri në Qafë Helmës është fikur dhe mbetet aktiv vetëm drejt Selishtës. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.
Lufaj, Mirditë – vijon puna e forcave operacionale pas hapjes së korridoreve ndarëse, me mbështetje edhe nga 1 helikopter i Forcës Ajrore.
Fushë-Lajë, Pukë – në operacion janë 10 efektivë zjarrfikës, 16 forca bashkiake dhe 40 efektivë të FA. Zjarri nuk paraqet intensitet të lartë dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Rrjoll, situata monitorohet nga afër edhe me dron dhe po ashtu nuk ka rrezik për banesat.
