Jorge Valdano ka folur për herë të parë rreth mundësisë që Jose Mourinho të kthehet në stolin e Real Madridit. Ish-drejtori sportiv i klubit madrilen vlerësoi se kalimi i kohës ka ndryshuar gjithçka dhe se ajo që ndodhi më parë nuk mund të shërbejë si kriter për të parashikuar të ardhmen.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste për gazetën portugeze A Bola, ai diskutoi hapur skenarin e rikthimit të Mourinhos në “Santiago Bernabeu”, pothuajse 15 vjet pas bashkëpunimit të tyre. Ajo periudhë u shoqërua me tensione dhe përfundoi me dorëheqjen e Valdanos nga detyra e drejtorit sportiv në vitin 2011.
Kur u pyet nëse “Special One” do të ishte në gjendje ta çonte këtë herë Real Madridin drejt trofeut të Ligës së Kampionëve, Valdano shfaqi rezerva.
“Kanë kaluar pothuajse 15 vjet. Futbolli nuk është më ai që ishte, shoqëria nuk është më ajo që ishte, Florentino Perez nuk është më ai që ishte dhe as Mourinho nuk do të jetë i njëjti. Prandaj, mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.
Valdano theksoi se mosmarrëveshjet e dikurshme mes tij dhe trajnerit portugez nuk duhet të ndikojnë në vlerësimin e mundësisë për një rikthim të Mourinhos.
Sipas ish-drejtorit sportiv, numri i alternativave që Real Madridi ka në dispozicion për postin e trajnerit është i kufizuar dhe po bëhet gjithnjë e më i vogël.
“Florentino zgjodhi një profil tjetër trajneri dhe e vërteta është se opsionet që ka Real Madridi janë të pakta. Po zvogëlohen gjithnjë e më shumë. Nuk e di cili është qëllimi i rikthimit të Jose Mourinhos në këtë detyrë, këtë e di vetëm klubi”, deklaroi Valdano.
Në përmbyllje, ai u kthye te periudha e vështirë e sezoneve 2010-2011, kur dallimet me Mourinhon për mënyrën se si duhej drejtuar skuadra sollën largimin e tij nga klubi.
“Jam njeriu që mban më pak mëri në botë. Mosmarrëveshjet nuk zgjasin shumë për mua dhe i lë pas me shumë lehtësi”, përfundoi Valdano.
