Paris Saint-Germain po shqyrton sërish tregun brazilian për të gjetur talente të së ardhmes dhe këtë herë objektivi i klubit francez është Luis Pacheco, mesfushori defensiv 18-vjeçar i Palmeirasit.
Të lidhura
None found
Futbollisti konsiderohet një nga emrat më premtues të akademisë së klubit brazilian, por largimi i tij drejt Evropës mund të jetë i ndërlikuar. Palmeiras ka krijuar një reputacion të fortë për shitjen e lojtarëve të rinj kundrejt shumave të larta.
Vetëm vitet e fundit, akademia e Palmeirasit ka prodhuar dhe shitur disa talente të rëndësishme. Estevao iu bashkua Chelseat për 61.5 milionë euro, Endrick kaloi te Real Madridi për 60 milionë euro, ndërsa Allan dhe Vitor Reis u transferuan te Manchester City përkatësisht për 40 milionë dhe 35 milionë euro.
Mes futbollistëve të tjerë të shitur për shifra të konsiderueshme bëjnë pjesë edhe Gabriel Jesus dhe Richard Ríos.
Pacheco, i cili ka lindur në Lajeado, debutoi në Serie A braziliane gjatë vitit 2025. Deri tani, ai ka luajtur gjashtë ndeshje në elitën e futbollit të Brazilit, duke grumbulluar gjithsej 105 minuta.
Daljen e fundit në kampionat e regjistroi më 12 shtator kundër Sao Paulos, në një takim ku qëndroi në fushë për 23 minuta.
Mesfushori është aktivizuar edhe me përfaqësueset e moshave të Brazilit. Ai ishte pjesë e ekipit U17 në Kupën e Botës 2025 në Katar, turne të cilin Brazili e mbylli në vendin e katërt. Gjatë këtij viti, Pacheco është thirrur gjithashtu nga përfaqësuesja U20.
Aktualisht, 18-vjeçari po ndan kohën mes skuadrës U20 dhe ekipit të parë të Palmeirasit, një mënyrë e zhvillimit që duket se po i shërben progresit të tij.
Sipas Terra, PSG po e vëzhgon me kujdes situatën e lojtarit dhe nuk përjashtohet mundësia që klubi parisien të paraqesë një ofertë për të.
Interesi ndaj Pachecos lidhet edhe me faktin se ai mund të aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes, përveç rolit të tij si mesfushor defensiv. Ky fleksibilitet e bën profilin e tij edhe më tërheqës për drejtuesit e PSG-së.
Klubi francez prej disa vitesh ka ndjekur një strategji të posaçme në Brazil, duke afruar lojtarë të rinj si Gabriel Moscardo dhe Lucas Beraldo.
Për këtë arsye, PSG mund të përpiqet të sigurojë edhe një tjetër talent të spikatur nga futbolli brazilian, ndërsa në garë për lojtarin janë edhe klube angleze.




