Wolfsbergeri e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri në Bundesligën austriake, duke mposhtur Austria Wien me rezultatin bindës 3-0, në një takim ku Donis Avdijaj dhe Giacomo Vrioni ishin protagonistët kryesorë.
Në sfidën e xhiros së parë të kampionatit, Vrioni realizoi dy gola, kurse Avdijaj kontribuoi me një asistim dhe gjeti gjithashtu rrjetën, por goli i tij u anulua.
Të lidhura
None found
Rezultati u zhbllokua në minutën e 18-të, kur sulmuesi shqiptar Vrioni u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë Wolfsbergerit epërsinë 1:0.
Vetëm tre minuta më vonë, Avdijaj shënoi në minutën e 21-të, por realizimi nuk u konsiderua i rregullt për shkak të pozitës jashtë loje.
Me nisjen e pjesës së dytë, Avdijaj mori rolin e asistuesit. Ai shërbeu Aaron Schwarz, i cili në minutën e 49-të dyfishoi avantazhin në 2:0.
Fitorja u vulos në minutën e 63-të nga Vrioni. Sulmuesi shënoi sërish nga penalltia, duke kompletuar dopietën e tij personale dhe duke e çuar rezultatin në 3-0.
Të dy lojtarët shqiptarë u larguan nga fusha në minutën e 80-të. Në po të njëjtën minutë, te Austria Vienna u aktivizua futbollisti shqiptar Hasan Deshishku.
Avdijaj dhe Vrioni dhanë menjëherë sinjale pozitive me kontributin e tyre, ndërsa Wolfsbergeri siguroi një fillim ideal të sezonit të ri në elitën e futbollit austriak.
