Qeveria hungareze, nën drejtimin e Péter Magyar, do të shqyrtojë nëse fondet publike janë keqpërdorur në rastin e huas prej një miliard eurosh, të cilën “Eximbanka” shtetërore ia akordoi Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
Magyar e bëri të ditur këtë dje. Sipas raportimeve të mediave vendase, kredia e përfituar nga Maqedonia e Veriut përfshihet mes katër rasteve që lidhen me “Eximbank”-un dhe për të cilat Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës ka paraqitur sot ankesa, shkruan Fokus.
“Të enjten, Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës paraqiti katër ankesa për dyshime mbi mashtrime, me një vlerë të përgjithshme prej një mijë miliardë forintash, në katër çështje të veçanta. Secila prej tyre lidhet me veprimtarinë e ‘Eximbank’-ut”, deklaroi Magyar.
Ai bëri të ditur se huaja është miratuar me kushte tepër të favorshme, duke pasur një normë interesi prej 3,25 për qind.
Sipas Magyar, diferenca në interesa do t’i shkaktojë buxhetit të Hungarisë një kosto prej 90 miliardë forintash, ose rreth 248 milionë euro.
“Për buxhetin hungarez kjo përbën një barrë prej 90 miliardë forintash, afërsisht 248 milionë euro, ndërkohë që, gjatë qeverisjes së Orbanit, shteti hungarez garantoi 100 për qind të kredisë”, u shpreh Magyar.
Ai vlerësoi gjithashtu se interesi me të cilin “Eximbanka” shtetërore i dha huan Maqedonisë është dukshëm më i favorshëm sesa normat që u aplikohen kompanive hungareze dhe qytetarëve të Hungarisë kur marrin kredi./INA/
