Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, priti në një takim ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja. Fokusi i bisedës ishte zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh në sektorin e drejtësisë.
Të lidhura
None found
Palët diskutuan tema kyçe si konsolidimi i sundimit të ligjit, garantimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe procesi i digjitalizimit të drejtësisë. Këto përpjekje janë pjesë e një reforme më të gjerë që synon fuqizimin e performancës së institucioneve.
Shasivari theksoi se të dyja shtetet ndjekin një vizion të përbashkët për një rajon të qëndrueshëm e demokratik, me perspektivë të plotë evropiane. “Si vende partnere e fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Kosova synojnë të njëjtin objektiv: një rajon të qëndrueshëm, demokratik dhe të ankoruar në BE. Ndarja e eksperiencave dhe praktikave më të mira do të ndihmojë në zbatimin më të shpejtë të reformave dhe në thellimin e bashkëpunimit tonë,” u shpreh ai.
Ministri theksoi gjithashtu se komunikimi i vazhdueshëm institucional dhe shkëmbimi i përvojave mes dy vendeve do të shërbejnë si shtysë për ecurinë e reformave në vazhdën e përmbushjes së objektivave të përbashkëta në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
