Pas incidentit të ndodhur mbrëmë në studion e Teve 1, ku debati u ndërpre për shkak të tensioneve me analistin Nexhmedin Spahiu, eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj ka dalë me një reagim publik.
Të lidhura
None found
Konflikti shpërtheu gjatë diskutimit, kur Kadriaj iu referua Spahiut me termat “pseudo-jugosllav e mbetje”, duke bërë që profesori i shkencave politike të kërkonte llogari për fyerjen. Atmosfera u rëndua më tej pasi Kadriaj i tha: “Çfarë ke, çka p’e hap gojën”, çka solli përshkallëzimin e situatës dhe ndërprerjen e transmetimit.
Në deklaratën e tij të mëvonshme, Kadriaj shprehu keqardhje për veprimet e tij, duke pranuar se kishte reaguar në mënyrë impulsive. “Është njerëzore të kërkosh falje publikut për një sjellje timen dhe jam i gatshëm, nëse kërkohet, t’u kërkoj falje shqiptarëve anë e mbanë, kudo që janë. Pa dyshim që reagimi im ishte në afekt dhe më vjen keq”, shkroi ai.
Megjithatë, ai justifikoi sjelljen e tij duke theksuar se ishte nxitur nga deklaratat e Spahiut ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, për të cilin Kadriaj beson se po gjykohet padrejtësisht në Hagë. “Por të ofendohet një figurë siç është Hashim Thaçi, i cili, me të gjitha të metat që mund t’i ketë si njeri, e ka dëshmuar anën e tij atdhetare dhe për këtë po përballet padrejtësisht në Hagë, ishte e papranueshme për mua”, shtoi ai.
Kadriaj pohoi gjithashtu se Spahiu kishte përdorur gjuhë ofenduese ndaj Thaçit dhe kritikoi menaxhimin e debatit në studio. “Unë u detyrova ta lëshoj studion, por Spahiu vazhdoi me ofendime, gjë që për mua ishte e papranueshme në atë moment”, deklaroi ai. Në mbyllje të reagimit të tij, Kadriaj përsëriti kërkimfaljen para publikut, duke nënvizuar se pavarësisht gabimeve njerëzore, “nuk mund të ofendohen çlirimtarët”.
