Ish-kryetari i FFM-së, Muhamed Sejdini, është liruar pas 92 ditësh në paraburgim. Nga sot, ai do ta vazhdojë mbrojtjen në liri.
Të lidhura
None found
Njoftimi u bë publik nëpërmjet një reagimi të familjarëve dhe mbështetësve të Sejdinit, të cilët shprehën falënderime për të gjithë ata që u solidarizuan dhe u qëndruan pranë gjatë kësaj kohe.
“Sot dua ta ndaj me ju edhe këtë gëzim, ashtu siç kemi ndarë së bashku edhe ditët më të vështira. Nga sot, Met Braja (Muhamedi) do të mbrohet në liri”, thuhet në reagim.
Sipas mesazhit, gjatë gjithë qëndrimit në paraburgim, Sejdini nuk hoqi dorë nga bindjet e tij dhe i përballoi sfidat pa u dorëzuar.
“Meti besoi se e drejta vonon, por nuk harron. Ai nuk u nënshtrua, nuk u thye, por qëndroi stoik, me dinjitet dhe besnik ndaj bindjeve që ka mbrojtur gjithmonë”, theksohet më tej.
Në reagim, familjarët shprehën mirënjohjen e tyre ndaj qytetarëve, miqve dhe dashamirëve që i përkrahën gjatë kësaj periudhe, ndërsa lirimin e Muhamed Sejdinit e vlerësuan si fitore të drejtësisë.
