Autoriteti zviceran i konkurrencës, Weko, ka nisur shqyrtimin paraprak të Google-it, nën dyshimet se kompania mund të ketë penguar konkurrencën duke e caktuar automatikisht Google Search si motorin standard të kërkimit në disa pajisje Android.
Të lidhura
None found
Në Zvicër, sipas Weko-s, Google ka çaktivizuar funksionin “Choice Screen”, përmes të cilit përdoruesit mund të përzgjidhnin motorin e kërkimit gjatë konfigurimit të një telefoni të ri. Për rrjedhojë, disa pajisje aktivizojnë vetë Google Search, pa paraqitur mundësi të tjera zgjedhjeje.
Weko bëri të ditur se ky opsion mbetet aktiv në Bashkimin Evropian. Autoriteti paralajmëroi se mungesa e tij mund t’i bëjë më pak të dukshëm motorët rivalë të kërkimit dhe të krijojë barriera më të mëdha për hyrjen e tyre në treg.
Përmes hetimit synohet të sqarohet nëse veprimet e Google-it bien ndesh me legjislacionin zviceran të konkurrencës. Përfundimet mund të ndikojnë gjithashtu në mënyrën se si do të vlerësohen praktika të ngjashme në pajisje të tjera mobile.
