Nga ambientet jashtë Kuvendit, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se prania e tij në seancë plenare kishte si qëllim të vetëm të “varroste” reformën territoriale.
Sipas tij, ekzekutivi nuk synon një ndryshim në dobi të popullit, por një proces që favorizon axhendën politike dhe manipulimin e proceseve elektorale.
Të lidhura
None found
“Edi Rama groposi reformën territoriale. Dhe reformën de facto, tejet të rëndësishme për shqiptarët. Ai shkatërroi një angazhim serioz njëvjeçar, të përkrahur financiarisht nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga fondet shtetërore. E asgjësoi sepse do me çdo kusht, jo një reformë në shërbim të qytetarëve, por një projekt që i shërben manovrimit të zgjedhjeve dhe vjedhjes së mandateve. Këto janë përpjekjet e fundit të një individi që do të mbetet në burgjet më të zeza të historisë. Edi Rama s’ka më shpëtim. Erdhi këtu enkas për të marrë në kontroll reformën territoriale”, u shpreh Berisha.
Lidhur me protestën e zhvilluar para Parlamentit, lideri demokrat pohoi se manifestuesit janë goditur ashpër me gaz lotsjellës dhe spraj ariu, teksa shtoi se ka informacione për persona të plagosur rëndë.
“Ata i sulmuan barbarisht me gaz lotësjellës dhe spraj ariu. Kemi edhe të dëmtuar rëndë. Po e ndjekim me shqetësim të thellë gjendjen e tyre”, tha ai.
