Klodian Hoxha i është bashkuar kastit të një seriali serb, i cili do të shfaqet në televizionin publik të Serbisë.
Gjatë një interviste në emisionin “Në Shtëpinë Tonë” në Top Channel, aktori shqiptar tregoi prapaskenat e përfshirjes së tij në këtë projekt. Sipas Hoxhës, një agjent e ndihmoi të kapërcente kufijtë. Fillimisht ai kishte zhvilluar një audicion për një personazh tjetër, por e refuzoi ofertën për shkak se roli ishte në gjuhën serbe dhe nuk mund ta realizonte.
Të lidhura
None found
Më pas, aktorit iu propozua një rol ku përdoren shqipja, anglishtja dhe gjermanishtja. Hoxha interpreton një bos që jeton në Beograd, ndërsa zgjodhi të mos nxirrte hollësi të tjera rreth personazhit dhe serialit.
Ai bëri të ditur gjithashtu se së shpejti pritet të prezantojë një projekt të madh personal, me të cilin do të jetë pjesë e Festivalit të Kanës. Hoxha tha se po punojnë për të krijuar diçka të tyren në aspektin e produksionit, të cilën e cilësoi shumë interesante. Synimi është realizimi i një filmi shqiptar, ku ai do të angazhohet edhe si pjesëtar i produksionit.
I diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, Klodian Hoxha e ka zhvilluar karrierën e tij si në teatër, ashtu edhe në kinematografinë shqiptare e ndërkombëtare. Krahas aktrimit, ai thotë se në të ardhmen e afërt e sheh veten edhe në rolin e producentit të filmave.
