I ftuar në emisionin “New24”, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ndarë detaje nga procesi i brendshëm zgjedhor në forcën e tij politike, ndërsa ka komentuar edhe lëvizjen qytetare që prej 52 ditësh ka mbushur sheshet e Tiranës.
Ai rrëfeu se propozimi për t’u bërë pjesë e garës erdhi krejt papritur nga kryetari Sali Berisha, duke shtuar se asnjë prej kandidatëve nuk ishte në dijeni paraprakisht. “Të gjithë e morëm vesh në ato çaste se kush do të ishte në listë. Unë personalisht e prita si një shenjë besimi nga ana e kreut të PD-së dhe pata një mbështetje që as vetë nuk e kisha parashikuar. Mendoj se Berisha zgjodhi të vendoste njerëz me peshë dhe identitet të qartë, jo emra pa profil”, u shpreh Korreshi.
Të lidhura
None found
Duke e zhvendosur fokusin te çështjet elektorale, ligjvënësi theksoi se për Partinë Demokratike është thelbësore të garohet me lista të hapura. Ai akuzoi mazhorancën se po manipulon rregullat për përfitime numerike, që nga momenti i heqjes së koalicioneve. “Vendimi për të braktisur parlamentin ishte një autogol për ne. Po ashtu, reforma territoriale ka dështuar në thelb dhe nuk mund të lejojmë të mbyllet në këtë mënyrë të shëmtuar. Nesër në Kuvend, PD do ta ngrejë me forcë këtë debat, sepse duket qartë se mazhoranca e sheh ndarjen e re vetëm si një llogari për fitore elektorale”, paralajmëroi ai.
Lidhur me tubimet masive, Korreshi sqaroi se Partia Demokratike nuk e ka udhëhequr protestën, por qëndron plotësisht pas saj. “Nuk mund t’i marrim flamurin një lëvizjeje që e ka nisur populli vetë. Ne jemi aty, në mbështetje absolute të çdo kërkese. Të gjithë simpatizantët tanë duhet të jenë solidarë. Megjithatë, në shesh ka individë që tentojnë të rrëmbejnë mikrofonin dhe të imponojnë slogane që nuk përfaqësojnë shumicën. Ata zëra të inskenuar nuk mund të flasin për gjithë protestuesit”, përfundoi deputeti.
