Gjatë stinës së nxehtë, organizmi ynë humbet shumë lëngje përmes djersës, prandaj marrja e mjaftueshme e ujit bëhet thelbësore. Edhe pse gota me ujë mbetet zgjidhja ideale, ka disa fruta që falë përqindjes së lartë të lëngjeve dhe vlerave ushqimore, ndihmojnë ndjeshëm në plotësimin e rezervave të trupit. Të freskëta dhe plot shije, këto fruta sjellin gjithashtu vitamina, minerale dhe antioksidantë që e ndihmojnë organizmin t’i bëjë ballë vapës përvëluese.
Të lidhura
None found
Po kërkoni alternativa natyrale dhe të thjeshta për të siguruar hidratimin e duhur gjatë verës? Më poshtë do të gjeni 5 fruta që ia vlen të jenë gjithmonë prezentë në tavolinën tuaj.
Shalqiri mbetet një zgjedhje e pazëvendësueshme gjatë stinës së nxehtë, i njohur gjerësisht për aftësitë e tij të jashtëzakonshme hidratuese. Me një përmbajtje uji që arrin në 92%, ai është gjithashtu i pasur me vitamina A, B dhe C, si dhe me magnez, kalium, zink, bakër, likopen dhe një sërë mineralesh të tjera. Një porcion me copa shalqiri përmban vetëm rreth 45 kalori, çka e kthen atë në një meze të lehtë ideale dhe freskuese.
Dashamirësit e luleshtrydheve kanë arsye për t’u gëzuar. Ky frut i kuq dhe i ëmbël përmban plot 92% ujë dhe shërben si një burim fantastik i vitaminës C. Luleshtrydhet janë të ngarkuara me fibra, flavonoide dhe antioksidantë që ulin rrezikun e sëmundjeve kardiake, diabetit, kapsllëkut dhe formave të ndryshme të kancerit. Mund të siguroni dozën e nevojshme ditore duke i shtuar në smoothie apo duke i përfshirë në sallata të ndryshme.
Kastraveci, me 95% ujë në përbërjen e tij, është një tjetër mundësi e shkëlqyer për të qëndruar i hidratuar. Ai përmban vitaminë K, fosfor, magnez, kalium dhe kalcium. Mund të konsumoni sasi të bollshme kastraveci pa u shqetësuar për kalori shtesë në regjimin tuaj ushqimor. Kështu që, kur të përgatisni sërish sanduiçe apo sallata, mos harroni të shtoni kastravec.
Pjeshka është një tjetër frut i shëndetshëm dhe hidratues që duhet të jetë pjesë e vakteve tuaja. E përbërë nga 90% ujë, ajo është një burim i çmuar vitaminash, kaliumi, fosfori dhe mineralesh të tjera. Konsumimi i pjeshkave sjell përfitime të shumta për shëndetin, si përmirësimi i tretjes, mbrojtja e lëkurës, forcimi i shëndetit kardiovaskular dhe lehtësimi i simptomave të alergjive.
Pjepri përmban rreth 90% ujë dhe është i pasur me vitaminë C, beta-karoten (e cila në trup kthehet në vitaminë A), kalium dhe magnez. Ky kombinim lëndësh ushqyese forcon sistemin tuaj imunitar dhe mirëqenien e përgjithshme. Mund ta shijoni si ushqim të lehtë mes vakteve, në sallata frutash, smoothie, të përzier me kos apo në kombinime të guximshme me erëza dhe ushqime të kripura.
