Përdorimi i super ngjitësit në punët e shtëpisë mund të sjellë telashe të papritura, si ngjitja e gishtave mes tyre. Forca e produktit vjen nga cianoakrilati, një përbërës që krijon lidhje jashtëzakonisht të forta dhe nuk lirohet thjesht me tërheqje.
Të lidhura
None found
Dr. John Anthony, dermatolog në Cleveland Clinic, paralajmëron se tentativa për të shkëputur lëkurën me forcë mund të shkaktojë dëme serioze, sikurse edhe përdorimi i veglave të mprehta si brisk apo gërshërë. Rruga e sigurt është krejt ndryshe.
Metoda më e thjeshtë, sipas ekspertit, është zhytja e zonës së prekur në ujë të vakët me sapun. Sapunët e enëve apo ata të duarve janë mjaft efektivë për të dobësuar ngjitësin. Larja e vazhdueshme e zbut materialin dhe e bën lidhjen më të brishtë, veçanërisht nëse veprohet shpejt, brenda pak minutash para se të forcohet plotësisht. Megjithatë, rezistenca ndaj ujit e bën procesin gradual, duke kërkuar diku te 10 deri në 15 minuta derisa të fillojë shkëputja. Më pas, mjafton të fërkohet apo të hiqet butësisht pa e tërhequr ashpër.
Produktet me bazë yndyrore përbëjnë një alternativë tjetër të sigurt. Ato depërtojnë nën shtresën e tharë të ngjitësit dhe e zbusin atë. Në shtëpi mund të gjenden me lehtësi vazelinë, vaj për bebe, vaj mineral, vaj ulliri, vaj kokosi, vaj bimor ose krem duarsh. Pasi të zgjidhni njërin prej tyre, masazhojeni butësisht në lëkurë dhe lëreni të veprojë rreth 10 minuta, pastaj hiqeni ngadalë sapo materiali të lirohet.
Ata që preferojnë një zgjidhje kimike, mund të provojnë acetonin, i cili gjendet në shumicën e heqësve të manikyrit. Ky tretës i fuqishëm shpërbën cianoakrilatin, por doktor Anthony rekomandon kujdes maksimal: përdorni sasi minimale, shmangni përzierjet me kimikate të tjera dhe hidratojeni lëkurën më pas. Edhe produktet pa aceton mund të funksionojnë, por procesi i tyre është dukshëm më i ngadaltë.
Nga ana tjetër, duhen evituar disa praktika të rrezikshme. Uji i nxehtë nuk duhet përdorur për të “shkrirë” ngjitësin, pasi mund të shkaktojë djegie. Gjithashtu, materialet gërryese si letra zmerile janë të dëmshme për lëkurën dhe asnjëherë nuk duhet të tentohet prerja e ngjitësit me mjete të mprehta. E gjithë kjo mund të çojë në flluska të dhimbshme ose plagë edhe më të rënda.
Në rast të gëlltitjes së super ngjitësit apo kontaktit me fytyrën apo zonën gjenitale, kërkimi i ndihmës mjekësore të menjëhershme është thelbësor. E njëjta gjë vlen edhe nëse shfaqen dhimbje të forta, ënjtje, mpirje, humbje e qarkullimit të gjakut apo reaksione të fuqishme alergjike.
