Ilir Kulla, drejtor i Global Crisis Group, ka vlerësuar se garancitë e bashkësisë ndërkombëtare nuk mjaftojnë kur një shtet nuk zotëron kapacitetet e nevojshme për t’u mbrojtur.
Të lidhura
None found
Gjatë emisionit “Matrix” në Tëvë1, nën moderimin e Mehmet Kalisit, ai kërkoi që Kosova t’i shtojë investimet në fushën e mbrojtjes dhe të nxjerrë mësime nga ajo që i ndodhi Ukrainës.
Kulla deklaroi se garancitë ndërkombëtare nuk kanë vlerë nëse nuk shoqërohen me prani trupash në terren. Sipas tij, Kosova duhet të ketë një ushtri të mirëfilltë dhe një buxhet prej të paktën një miliard eurosh, pasi nevojiten kapacitete reale brenda vendit. Ai solli si shembull Ukrainën, e cila në vitin 1994 hoqi dorë nga armët bërthamore pasi siguroi garanci ndërkombëtare për mbrojtjen, por më vonë u sulmua dhe u pushtua.
I pyetur nëse Serbia mund ta drejtojë vëmendjen nga Kosova dhe të nxisë tensione të tjera në rajon pas mbylljes së luftës në Ukrainë, Kulla tha se një zhvillim të tillë nuk e konsideron të mundshëm.
Në vlerësimin e tij, pozicionimi gjeopolitik i Kosovës është tashmë i përcaktuar qartë, ndërsa Serbia nuk ka interes të hyjë në një përplasje të drejtpërdrejtë me Perëndimin.
Ai u shpreh se marrëveshja e arritur mes presidentëve Trump dhe Putin e ka vendosur përfundimisht Kosovën dhe rajonin në kampin perëndimor. Kulla shtoi se Serbia nuk do të vepronte me mençuri nëse do të vazhdonte konfrontimin me Perëndimin dhe se, megjithëse mund të tentonte nëse do t’i krijohej mundësia, nuk beson se ka gjasa që kjo të ndodhë.
