Xavi Hernandez ka bërë të ditur se synon të vijojë rrugëtimin e tij si trajner në pankinën e një përfaqësueseje, dy vjet pas ndarjes me Barcelonën.
Të lidhura
None found
45-vjeçari, në një prononcim për RNE, theksoi se drejtimi i një kombëtareje do t’i ofronte më shumë mundësi për të qëndruar pranë familjes së tij.
“Hapi im i radhës mund të jetë një kombëtare. Po e them hapur: kjo mund të jetë zgjedhja e duhur për mua”.
“Kam familje. Një klub nuk do të më lejonte të kaloja aq shumë kohë me ta, pasi kam fëmijë të vegjël”.
“Dua të marr pjesë si trajner në një Kupë Bote, Kampionat Evropian, Kupën e Kombeve të Afrikës ose Kupën e Azisë”, u shpreh Xavi.
Ish-mesfushori i njohur i Barcelonës qëndroi në krye të skuadrës katalunase për pak më pak se tri sezone. Ai u shkarkua në maj të vitit 2024, pas rezultateve të dobëta dhe një sezoni të mbyllur pa trofe.
Gjatë kohës në Camp Nou, megjithatë, Xavi e udhëhoqi Barcelonën drejt titullit të La Ligës në edicionin 2022/23, ndërsa fitoi edhe Superkupën e Spanjës.
Pas largimit nga Barcelona, ai nuk ka drejtuar asnjë ekip. Tashmë, preferenca e tij duket se është puna me një kombëtare, në vend të rikthimit te futbolli i klubeve.
Përpara aventurës te Barcelona, Xavi ishte trajner i Al Saddit në Katar, ku arriti të fitonte shtatë trofe. Në karrierën si lojtar, ai ishte pjesë e Spanjës triumfuese në Kupën e Botës të vitit 2010.
Si trajner i Barcelonës, Xavi drejtoi ekipin në 143 ndeshje: 90 fitore, 24 barazime dhe 29 humbje, me përqindje triumfesh prej 62.9 për qind.
