Disa shtete europiane po përjetojnë një valë të re kushtesh ekstreme atmosferike, ku zjarret, thatësira dhe stuhitë kanë shkaktuar pasoja të rënda. Autoritetet paralajmërojnë se situata mund të rëndohet edhe më shumë gjatë ditëve të ardhshme.
Të lidhura
None found
Në verilindje të Spanjës, afro një mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre. Zjarrfikësit po angazhojnë 30 mjete ajrore për përballimin e flakëve, ndërsa vetëm në zonën pranë Ores, në Aragonë, zjarri ka djegur mbi 12 mijë hektarë. Vatra të tjera mbeten aktive pranë Madridit dhe në provincën Guadalajara.
Shërbimi meteorologjik spanjoll njofton se temperaturat pritet të nisin sërish rritjen nga e diela, duke shkuar deri në 44 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.
Thatësira po bëhet gjithnjë e më e rëndë edhe në Francë. Temperaturat e larta kanë ngritur shqetësime për funksionimin e një centrali bërthamor në jug të vendit, pasi ngrohja e ujërave të Mesdheut e vështirëson procesin e ftohjes së reaktorëve.
Pas valës së të nxehtit, disa rajone franceze janë goditur edhe nga stuhi të fuqishme. Si pasojë, dy persona kanë humbur jetën dhe mbi 53 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike.
Ndërkohë, në Gjermani, rënia e nivelit të ujit në lumin Rin ka krijuar pengesa për transportin nëpërmjet lumit, duke sjellë edhe rritje të kostove të transportit. Reuters raportoi se temperatura mesatare në Europë ka shkuar në 27.5 gradë Celsius, ose rreth 4.2 gradë mbi mesataren e kësaj periudhe të vitit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se kontinenti mund të kalojë “disa javë vdekjeprurëse”. Sipas shkencëtarëve, valët e fundit të nxehtësisë kanë sjellë mijëra vdekje më shumë se zakonisht në të gjithë Europën.
