Policia Kufitare e Vlorës ka arrestuar në flagrancë shtetasin M. E., 43 vjeç, nga Afganistani, i dyshuar si organizatori i një tentative për transportimin e paligjshëm të 10 emigrantëve drejt Italisë. Ai ndodhej në gomonen që u gjet duke lundruar pranë ishullit të Sazanit.
Ngjarja u zbulua një ditë më parë, kur 11 emigrantët nga vendet e treta rrezikuan të mbyteshin gjatë lundrimit me gomone. Ndërhyrja e Policisë Kufitare bëri të mundur evidentimin e rastit dhe nisjen e hetimeve.
Të lidhura
None found
Sipas veprimeve të para hetimore, 43-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas shqiptar që ende nuk është identifikuar, kishte organizuar nga Greqia kalimin e paligjshëm në Shqipëri të 10 shtetasve të huaj, përmes kufirit me shtetin grek. Synimi ishte që më pas ata të dërgoheshin drejt Italisë.
Gomonia ishte marrë nga M. E. në Seman të Fierit, në një vendndodhje që i ishte dërguar si lokacion nga bashkëpunëtori shqiptar. Mjeti lundrues ishte lënë në dispozicion të tij për të transportuar drejt Italisë 10 emigrantët.
Specialistët për Hetimin e Krimit në DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të shpejta dhe profesionale, e arrestuan 43-vjeçarin për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nën procedim penal për veprën “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” u vunë edhe 10 shtetasit e tjerë që ndodheshin në bordin e gomones. Ata janë me origjinë nga Bangladeshi, Pakistani, Liberia dhe Haiti.
Strukturat hetimore të DVKM Vlorë dhe Prokuroria po vijojnë hetimet intensive për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Puna është përqendruar gjithashtu në identifikimin dhe kapjen e shtetasit shqiptar të përfshirë, si dhe të personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në tentativën për kontrabandimin e emigrantëve nga vendet e treta drejt Italisë.
