Gjyqtari slloven Slavko Vincic do të drejtojë finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, pasi është caktuar si arbitri kryesor i kësaj sfide.
Të lidhura
None found
Vendimin atij ia komunikoi presidenti i Komitetit të Arbitrimit të FIFA-s, Pierluigi Collina. Slloveni 46-vjeçar nuk arriti t’i fshehë emocionet kur mori lajmin për këtë emërim, që konsiderohet momenti më i rëndësishëm i karrierës së tij.
Finalja është planifikuar të zhvillohet të dielën, duke nisur nga ora 21:00, në stadiumin MetLife në New York. Në këtë ndeshje, Vincic do të ketë si asistentë Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic.
Përveç prestigjit që sjell drejtimi i një finaleje të tillë, Vincic pritet të përfitojë edhe një shpërblim të madh financiar. Sipas gazetës sllovene Delo, arbitri kryesor i finales pritet të marrë afërsisht 60,000 dollarë, ose 52,500 euro, për këtë përballje.
Të ardhurat e përgjithshme të Vincic gjatë gjithë turneut vlerësohen të mund të shkojnë në rreth 140 mijë dollarë, përkatësisht 120 mijë euro. Megjithatë, shifra përfundimtare mbetet e varur nga bonuset dhe përllogaritjet e FIFA-s.
Struktura e pagesave përfshin një shumë fikse prej 70,000 dollarësh, ose 61,200 euro, vetëm për pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
Ndërkaq, mbi këtë pagesë shtohen tarifat për çdo ndeshje: 3,000 dollarë për takimet e fazës së grupeve dhe pak më shumë se 5,000 dollarë për ndeshjet e fazës eliminatore.
FIFA ende nuk i ka bërë publike zyrtarisht këto shifra që lidhen me pagesat e gjyqtarëve.
