Ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, është shpallur “persona non grata” nga Kosova.
Të lidhura
None found
Vendimi erdhi pas deklaratës së saj, të dhënë disa ditë më parë, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Paunoviqit i është ndaluar përgjithmonë hyrja dhe kalimi tranzit në territorin e Republikës së Kosovës. Deklarata e saj është kundërshtuar ashpër edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili e ka cilësuar atë vazhdim të një politike shtetërore që, sipas tij, për dekada ka sjellë dhunë, krime dhe tentativa për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla njoftoi se kishte firmosur vendimin që ministrja serbe të shpallej person i padëshirueshëm.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezhana Paunović e kam shpallur persona non grata, të padëshirueshme, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës. Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka theksuar se retorika e ministres serbe është e papranueshme dhe nxit urrejtje, duke kërkuar që ajo të dënohet nga të gjitha shtetet.
Sipas Sveçlës, çdo tentativë për rikthimin e ideologjive të spastrimit etnik ose për kërcënimin e Republikës së Kosovës do të marrë një “përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.
Për deklaratën e Paunoviqit ka folur për “Bota so” edhe Naim Miftari, luftëtar dhe komandant i luftës së UÇK-së, si dhe ish-epror i TMK-së pas luftës.
Miftari ka thënë se ministrja e, siç e quan ai, shtetit fashist të Serbisë, ka pasur fat, duke e lidhur këtë edhe me vjedhjen e fondeve nga një klan hajdutësh.
“Sa me fat jeni ju, ministre e shtetit fashist të Serbisë, Snezhana Paunović. Jeni me fat, sepse pothuajse mbi 90% e fondeve të luftës që u mblodhën nga bashkëkombësit tanë shqiptarë u vodhën nga aleatët e Serbisë, nga klani i hajdutëve të 3%-shit, në krye me Bujar Bukoshin. Po ashtu, edhe fondi “Vendlindja Thërret” u vodh nga një klan tjetër, në krye me Hashim Thaçin”, shprehet Miftari.
Ai ka deklaruar më tej se Serbia, sipas tij, pati fat edhe për faktin se UÇK-ja nuk u lejua nga shtete të tjera të armatosej me armë ushtarake dhe luftoi kryesisht me armatim personal.
“Fati më i madh për ju, Serbinë, ishte se njerëzit tuaj arritën ta përçajnë luftën tonë të pastër. Një tjetër fat për ju ishte se NATO-ja dhe shtete si Amerika, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe nuk lejuan që UÇK-ja të armatosej me armë ushtarake, por luftoi kryesisht me armë personale AK-47 dhe me armatim nga rezervat territoriale shqiptare të viteve 1960–1970, shpesh vetëm me disa dhjetëra fishekë”, thekson ish-luftëtari.
Në përmbyllje, Miftari ka thënë se një tjetër fat ishte që pjesëtarët e UÇK-së nuk i njollosën duart me gjakun e civilëve serbë.
“Një herë, UÇK-ja tentoi të depërtonte në Koshare për ta lidhur frontin me Zonën e Dukagjinit dhe, menjëherë, avionët Mirage francezë të NATO-s bombarduan pozicionet e UÇK-së, duke vrarë dhjetëra ushtarë vullnetarë, nga frika se mos populli shqiptar do ta fitonte luftën vetë dhe nuk do të mbetej i varur nga bashkësia ndërkombëtare, e cila, sipas jush, në masë të madhe ishte pro Serbisë.
Dhe me fat që ushtarët e UÇK-së nuk i ndyen duart me gjakun e civilëve tuaj, nuk vranë civilë serbë, nuk dhunuan gra serbe, nuk zhdukën mijëra kufoma të civilëve serbë, nuk bënë spastrim etnik dhe nuk pushkatuan civilë e të burgosur serbë”, përfundon Miftari.
