Në pistën e zjarrfikësve pranë kazermave “Goce Delçev”, në Komunën e Aerodromit, u zhvillua një formacion me pjesëmarrjen e më shumë se 250 zjarrfikësve vullnetarë. Aktiviteti, i organizuar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), mblodhi përfaqësues nga të gjitha shoqatat aktive vullnetare të zjarrfikësve në vend.
Të lidhura
None found
Sipas DMSH-së, qëllimi i formacionit ishte përcaktimi i numrit të saktë të zjarrfikësve vullnetarë të gatshëm për t’u angazhuar në mënyrë të organizuar në shuarjen e zjarreve në hapësira të hapura gjatë verës, si pjesë e Ekipeve të Reagimit të Shpejtë të DMSH-së.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, njëherësh komandant i Forcave të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Stojançe Angelov, iu drejtua pjesëmarrësve duke paraqitur planet dhe pritjet për sezonin e ardhshëm të zjarreve. Në njoftimin e DMSH-së thuhet se gjatë aktivitetit u prezantua edhe struktura e re e brendshme dhe hierarkia, me synim forcimin e koordinimit, komandimit dhe përfshirjes më efikase të zjarrfikësve vullnetarë në sistemin e zjarrfikjes.
Pas përfundimit të formacionit, u organizua një takim pune në ambient të hapur, ku zjarrfikësit vullnetarë ndanë përvojat, qëndrimet dhe propozimet e tyre për avancimin e funksionimit të sistemit të mbrojtjes dhe shpëtimit gjatë stinës së verës.
