Policia e Himarës ka përmbyllur operacionin e koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit u arrestuan tre shtetas të dyshuar për tentativën e grabitjes së një 70-vjeçari në fshatin Borsh.
Nga të dhënat e hetimit rezulton se më 12 korrik 2026, tre autorët hynë në banesën e të moshuarit, e mbajtën me forcë dhe e kanosën me një imitues arme zjarri (një çakmak në formë pistolete), me qëllim që t’i merrnin një shumë parash.
Të lidhura
None found
Pas kallëzimit të viktimës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Himarës zhvilluan veprime intensive hetimore, që bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe vënien në pranga të tre të dyshuarve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të arrestuarit janë: E. Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë; K. T., 23 vjeç, banues në Vlorë; dhe A. C., 19 vjeç, gjithashtu banues në Vlorë. Ky i fundit rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për krime në fushën e narkotikëve.
Hetimet treguan gjithashtu se autorët kishin mbajtur në vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për dy ditë rresht dhe kishin marrë me qira një automjet “Mercedes-Benz” për të lëvizur drejt vendit të ngjarjes dhe për të realizuar krimin. Automjeti u sekuestrua nga ana e policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
