Efektivët e SPB Shkup kanë arrestuar një 65-vjeçar me inicialet M.V. dhe bashkëshorten e tij 59-vjeçare S.V., banues në Shkup, si të dyshuarit kryesorë në rastin e vrasjes së mjekut A.T. Sipas autoriteteve, ngjarja tragjike ndodhi më 21 mars 2024 në një hapësirë parkimi në lagjen Autokomandë, ku M.V. dyshohet se kreu krimin, ndërsa S.V. luajti rol në fshehjen e provave.
Të lidhura
None found
Pas një hetimi të gjerë dhe verifikimit të urdhëresave të shumta të lëshuara nga prokurori publik, janë mbledhur prova të mjaftueshme për të ngritur akuza formale. M.V. përballet me akuzën për “vrasje” sipas nenit 123, paragrafi 1 i Kodit Penal, ndërsa gruaja e tij akuzohet për bashkëpunim dhe inkurajim në kryerjen e krimit.
Rindërtimi i skenës nga policia tregon se S.V. ra dakord fillimisht me viktimën për t’u takuar në parking. Pasi A.T. hyri në automjetin e saj, pak minuta më vonë u shfaq M.V., i cili e nxori me forcë nga makina dhe e sulmoi egërsisht me thikë. Mjekut iu shkaktuan nëntë goditje vdekjeprurëse, të cilat i morën jetën në vend.
Menjëherë pas aktit, çifti bashkërendoi veprimet për të zhvendosur trupin e pajetë. Së bashku e vendosën viktimën në veturë dhe M.V. e drejtoi mjetin deri te parkingu i Poliklinikës Zhelezara. Atje, ai e zhvendosi trupin në sediljen e shoferit dhe pastroi me kujdes çdo gjurmë nga makina duke përdorur një substancë të panjohur. Më pas, të dy u larguan nga vendi i ngjarjes, bëjnë me dije burime nga MPB.
