Besmir Gjezari doli nga burgu këtë të mërkurë, pasi përfitoi nga amnistia penale, dhe menjëherë shpërtheu në akuza kundër organeve të drejtësisë, të cilat ai i fajëson për një dënim të pamerituar. Ai paralajmëroi se do të fillojë një përballje ligjore për të kërkuar të drejtën e tij.
I dënuari tregoi se gjykata i kishte shqiptuar pesë vjet burgim për akuzën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, ndonëse ai kishte vuajtur dy vjet e shtatë muaj nga ky dënim. Gjezari këmbënguli se nuk ishte kapur asnjëherë në flagrancë me lëndë të paligjshme dhe se akuzat ishin tërësisht të pabaza.
Të lidhura
None found
Ai shprehu vendosmërinë se, tani që është i lirë, do të rifillojë nga zero të gjitha procedurat ligjore. Sipas tij, kjo është vetëm fillimi i një lufte për të provuar pafajësinë e tij.
Gjezari theksoi gjithashtu se për më shumë se dy vjet, atij iu mohua çdo komunikim me familjen. Ai rrëfeu se ka një fëmijë tre vjeçar, të cilin e kishte lënë në moshën rreth një vjeçare dhe që nga ajo kohë nuk ka mundur ta takojë më, për shkak se e drejta e takimit i ishte bllokuar pa të drejtë.
Për më tepër, Gjezari pretendoi se si ai, ashtu edhe familjarët e tij, kanë qenë objekt i kërcënimeve të vazhdueshme, duke përfshirë edhe kërcënime direkte për jetën e tij. Ai u shpreh se ndihet shumë i rrezikuar.
