Deputeti i PDK-së, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka shprehur shqetësimin se Kosova mund të përfundojë si vendi i fundit i rajonit në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian. Sipas tij, Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara drejt anëtarësimit në BE.
Të lidhura
None found
Në një reagim të publikuar në Facebook, Hoxhaj tha se zhvillimet e ditës në rajon duhet të shihen si një sinjal alarmues për institucionet e Kosovës.
Ai përgëzoi Shqipërinë për përparimin në negociatat për anëtarësim në BE, si edhe Malin e Zi për përmbylljen e dy kapitujve të rinj negociues. “Sot, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi po afrohen çdo ditë e më shumë me Bashkimin Evropian, Kosova rrezikon të mbetet e fundit në rajon në rrugën drejt anëtarësimit”, ka shkruar Hoxhaj.
Duke iu referuar situatës së Kosovës, ai vlerësoi se vendi ka humbur pozicion në raport me mundësinë evropiane që e kishte disa vite më herët.
“Deri para shtatë vitesh, vendi ynë kishte një perspektivë shumë më të besueshme evropiane dhe gëzonte një mbështetje më të madhe nga partnerët tanë. Ndërkaq, qe 3 vjet Kosova pret që statusin e vendit kandidat ta shqyrtojë dikush, por ai ka mbetur në sirtarët e Bashkimit Evropian dhe askush nuk po merret me të”, ka shkruar deputeti i PDK-së.
Në përmbyllje, Hoxhaj kërkoi që integrimi evropian të rikthehet në qendër të politikës së jashtme të Kosovës. “Kosova meriton ta rikthejë vendin e saj në agjendën evropiane dhe të ecë përpara me besueshmëri e vizion”, ka përfunduar ai.
