Arben Mustafa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, njoftoi se ka nisur një kërkesë për shkarkimin e Neime Binaku-Isufit, kryetare e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.
Në një postim në Facebook, Mustafa tha se kërkesën e ka ndërmarrë së bashku me deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, në kuadër të përpjekjeve për të trajtuar parregullsitë në Autoritetin e Konkurrencës.
Të lidhura
None found
Sipas tij, përgjegjësia institucionale kërkohet për shkak të shkeljeve të dyshuara ligjore, moszbatimit të vendimeve të institucioneve administrative dhe gjyqësore, përfshirjes në veprimtari politike të ndaluara me ligj dhe mungesës së llogaridhënies para Komisionit parlamentar.
Mustafa deklaroi se deputetët e Vetëvendosjes e kanë penguar diskutimin parlamentar për parregullsitë dhe shkeljet e dyshuara ligjore të raportuara në këtë institucion, duke votuar vazhdimisht që kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës i Komisionit për Ekonomi.
Ai theksoi se edhe Kuvendi, bashkë me të gjithë deputetët që kanë detyrë mbikëqyrjen e Autoritetit, mban përgjegjësi për funksionimin e ligjshëm të tij.







