Lionel Scaloni ka dhënë një përgjigje të qartë lidhur me Lionel Messin, duke i hequr çdo dyshim tifozëve për praninë e tij në ndeshjen ndaj Egjiptit. Përzgjedhësi i Argjentinës bëri të ditur se kapiteni është në gjendje të mirë, edhe pse luajti 120 minuta në triumfin dramatik kundër Kepit të Gjelbër në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës 2026.
Të lidhura
None found
Në konferencën për shtyp të mbajtur përpara sfidës së 1/8 së finales, tekniku argjentinas u shfaq i bindur për formën e yllit të skuadrës.
“Leo është mirë. Nuk ka raportuar asgjë, pavarësisht se luajti 120 minuta dhe është 39 vjeç. Nëse ka ndonjë problem, nuk ma ka thënë, kështu që do të luajë”.
Scaloni u ndal edhe te ecuria e Argjentinës deri në këtë pikë të garës, duke e cilësuar pozitive nivelin e skuadrës së tij.
“Niveli i Argjentinës është i kënaqshëm. I kemi fituar të katër ndeshjet dhe mendoj se kjo mjafton për të qenë të kënaqur”.
Ai theksoi se ekipi ka treguar forcë karakteri edhe në momentet kur loja nuk ka qenë në nivelin më të lartë.
“Kemi këtë avantazh që, edhe kur nuk luajmë mirë, lojtarët japin gjithmonë diçka më shumë, atë dëshirën për të mos humbur”.
Trajneri i Argjentinës komentoi gjithashtu vështirësitë që po përjetojnë skuadrat favorite në këtë Kupë Bote, duke nënvizuar mungesën e vazhdimësisë në paraqitje.
“Ditën tjetër dukej se Franca ishte një kundërshtar i frikshëm, dhe ende është, por e pati shumë të vështirë ndaj Paraguait. Spanja po bëhet gjithnjë e më e fortë, por jo të pesë ndeshjet e saj kanë qenë në të njëjtin nivel. Nuk ka asnjë skuadër që ka arritur të ruajë atë që tregonte para Kupës së Botës”.
Sipas tij, disa rrethana po ndikojnë drejtpërdrejt në rënien e dominimit të ekipeve favorite.
“Udhëtimet, nxehtësia, fushat, bari që nuk është i njëjtë dhe topi që shpesh nuk rrotullohet si duhet. Ka shumë faktorë që bëjnë të mos shohim dominimin e favoritëve. Prandaj mendoj se niveli nuk është ai me të cilin jemi mësuar”.
Në fund, Scaloni vuri theksin te lodhja e akumuluar në këtë fazë të kompeticionit.
“Sa më shumë që afrohesh drejt fundit të turneut, aq më shumë pushim duhet të kesh për shkak të ngarkesës së ndeshjeve, ndërsa këtu po ndodh e kundërta”, përfundoi Scaloni.
Ndeshja mes Argjentinës dhe Egjiptit është parashikuar të luhet të martën, duke nisur nga ora 18:00./
