Për 79% të shqiptarëve, përdorimi i drogave të paligjshme përbën një problem serioz. Pothuajse dy në tre qytetarë besojnë se konsumi i tyre është rritur gjatë pesë viteve të fundit.
Këto janë gjetjet e anketës më të fundit të Agjencisë së Bashkimit Europian për Drogat (EUDA), të publikuar në nëntor 2026. Në Shqipëri, 38% e të anketuarve e cilësojnë përdorimin e drogës si problem shumë serioz në zonën ku jetojnë, ndërsa 41% si problem serioz.
Të lidhura
None found
Nga të pyeturit, 12% thonë se problemi nuk është shumë serioz dhe 5% mendojnë se nuk përbën aspak problem.
Sa i takon ndryshimit gjatë pesë viteve të fundit, 34% e shqiptarëve vlerësojnë se përdorimi i lëndëve narkotike në zonën e tyre është rritur shumë. Për 30% të tjerë, ai është shtuar disi.
Kështu, 64% e të anketuarve shohin një rritje të përdorimit të drogës, ndërsa 21% mendojnë se gjendja nuk ka ndryshuar. Një ulje perceptohet nga 7% e tyre; 8% nuk janë përgjigjur.
Rezultatet tregojnë se shqetësimi për konsumimin e drogës është i përhapur në komunitetet shqiptare. Anketa, megjithatë, pasqyron perceptimet e qytetarëve, jo numrin real të përdoruesve apo sasinë e drogave të konsumuara.

Shqipëria renditet ndër vendet europiane ku shqetësimi për përdorimin e drogës është më i lartë. Në Bashkimin Europian, mesatarisht gjashtë në dhjetë qytetarë e shohin atë si problem serioz në zonën e tyre, krahasuar me pothuajse tetë në dhjetë në Shqipëri.

Edhe trafiku i lëndëve narkotike ngjall shqetësim: rreth 79% e të anketuarve në Shqipëri e cilësojnë problem serioz ose shumë serioz në komunitetin e tyre. Kjo përqindje është ndjeshëm më e lartë se mesatarja prej 60% në Bashkimin Europian.
Në Europë, sipas EUDA, vlerësimet ndryshojnë dukshëm nga një vend në tjetrin. Brenda BE-së, pjesa e qytetarëve që e shohin përdorimin e drogës si problem serioz shkon nga 44% në Danimarkë në 78% në Qipro. Ndër vendet e anketuara jashtë BE-së, Maqedonia e Veriut regjistron një shqetësim edhe më të lartë, prej 85%.
Shëndeti dhe siguria publike janë ndër arsyet kryesore të shqetësimit për përdorimin dhe shpërndarjen e drogave në nivel europian. Për 39% të qytetarëve të BE-së, ndër pasojat më shqetësuese për shëndetin janë problemet e shëndetit mendor, përfshirë psikozat dhe vetëvrasjet. Pasojat e drogave të reja sintetike me veprim të fuqishëm shqetësojnë 30% të tjerë.
Në fushën e sigurisë publike, 30% e europianëve përmendin përfshirjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në trafikun e drogës si shqetësimin kryesor. Më pas vijnë dhuna dhe kriminaliteti i lidhur me drogën, me 27%, si dhe drejtimi i automjeteve nën ndikimin e lëndëve narkotike, me 26%.
Anketa tregon gjithashtu se drogat perceptohen si relativisht të lehta për t’u siguruar. Në BE, 48% e qytetarëve besojnë se mund të gjejnë kanabis brenda 24 orëve, ndërsa për kokainën dhe MDMA-në këtë e mendojnë rreth një e treta. Të rinjtë 15–24 vjeç raportojnë një perceptim më të lartë të disponueshmërisë së tyre sesa grupmoshat më të mëdha.
Për të kufizuar problemet e lidhura me drogën, 45% e qytetarëve europianë mbështesin forcimin e veprimeve të policisë kundër trafikimit dhe shpërndarjes. Ndërkohë, 43% kërkojnë më shumë ndihmë që personat me varësi të riintegrohen në punë dhe në jetën e përditshme.
Anketa e EUDA u krye nga 24 qershori deri më 16 korrik 2026. Në të morën pjesë 95,883 persona të moshës 15 vjeç e lart, në 36 vende europiane, përfshirë Shqipërinë. Qëllimi i saj është të identifikojë perceptimet për përdorimin dhe trafikimin e drogave, ndikimin e tyre në komunitete dhe mënyrat për ta përballuar problemin.








