Edhe zëra nga diaspora iu shtuan sot protestës 37-ditore që po zhvillohet përpara Kryeministrisë. Një shqiptar që jeton dhe punon në Bruksel u ngjit në podiumin e ngritur në bulevard, ku përcolli një mesazh të fortë kritik ndaj mënyrës si kryeministri Edi Rama e paraqet Shqipërinë para zyrtarëve europianë.
Nga foltorja, ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve të kenë qëndrueshmëri dhe durim, duke theksuar se vendit nuk i mungon asgjë në krahasim me Europën, përveç drejtësisë dhe drejtuesve të duhur.
Të lidhura
None found
Ai vuri theksin edhe te hendeku mes asaj që, sipas tij, shitet në zyrat e BE-së dhe jetës së përditshme që përballojnë shqiptarët në vend.
“Vij nga diaspora, nga Brukseli. Atje është gjithë administrata shtetërore evropiane. Aty vjen edhe xhaxhi Edi Rama dhe flet në emër të popullit. O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd, edhe ‘naltmadhnia’ flet në emrin tënd! Mund të gënjejë për një farë kohe, por kurrë nuk gënjen një popull të tërë bashkë! Ndaj bashkimi dhe bashkëpunimi është shpëtimi,” u shpreh ai nën duartrokitjet e turmës.
Duke folur edhe si njeri që ka jetuar në emigrim, protestuesi kërkoi që qytetarët të mos heqin dorë, duke nënvizuar se standardet europiane mund të ndërtohen edhe në Shqipëri, pa qenë e nevojshme që të rinjtë të largohen.
“Nëse jemi të gjithë bashkë, kemi durim e qëndrim… unë kam ardhur sepse e dua vendin tim. Dua t’ju përgëzoj të vazhdoni të mbani këtë ritëm, të qëndroni! Çfarë ka Europa dhe bota më shumë se Shqipëria? Asgjë nuk kanë, vetëm disiplinë dhe standarde të tjera. Ne e kemi mundësinë t’i krijojmë! Pse të mos ecim në vendin tonë? Na mungon vetëm drejtësia e duhur dhe njerëzit e duhur”, tha ai.
