Pas paraqitjes së dobët në zgjedhjet e fundit, brenda LDK-së kanë filluar lëvizje që synojnë ndryshime në krye të partisë.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve nga brenda subjektit, po sigurohen nënshkrime për thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm, në të cilin pritet të vihet në shqyrtim edhe shkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku.
Të njëjtat burime thonë se kjo nismë është ndërmarrë nga Gazmend Muhaxheri.
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, vlerëson se përçarjet e brendshme dhe iniciativa për largimin e Lumir Abdixhikut mund t’i shkaktojnë dëme serioze LDK-së.
Ai bën thirrje për një proces të ri zgjedhor në parti, ndërsa paralajmëron se konfliktet e brendshme mund ta çojnë subjektin drejt rrënimit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës po hyn në një proces të rrezikshëm, i cili mund ta dëmtojë atë në mënyrë të pariparueshme. Peticioni ka për qëllim thjesht shkarkimin e Lumir Abdixhikut, jo zgjidhjen e problemit. Unë pata kërkuar para një viti që Lumir Abdixhiku të japë dorëheqje, atëherë ndoshta do të bëhej një zgjidhje pa tronditje të mëdha.
Situata sot është shumë e rrezikshme dhe e çon LDK-në drejt shkatërrimit. Zgjidhja nuk është te luftërat e brendshme, zgjidhja është te një proces i ri zgjedhor, që fillon nga nëndegët dhe zhvillohet pa tensione. Po ashtu, kam kërkuar disa herë që kryetari të zgjedhet me vota të drejtpërdrejta, jo kështu si është sot.
Lumir Abdixhiku u konsumua shpejt, por as këta që pretendojnë të bëhen kryetar, nuk ofrojnë asgjë më shumë.
Këto përplasje janë një paralajmërim i një rrënimi të ri të LDK-së. Të gjithë ne që e kemi dashur dhe e duam LDK-në duhet të jemi shumë të brengosur”, deklaroi Salihaj për “Bota sot”.
