Një incident i rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara, pasi në një video të shpërndarë në rrjet është fiksuar çasti kur Bart DiGuglielmo, veteran 62-vjeçar i ushtrisë amerikane, qëllohet për vdekje në parkingun e një dyqani Walmart në Florida, pas një përplasjeje që dyshohet se nisi për një vend parkimi.
Ngjarja u regjistrua të martën pasdite në North Lauderdale, ku 62-vjeçari u përfshi fillimisht në një debat verbal me një grua në parkingun e dyqanit. Sipas mediave amerikane dhe të dhënave të bëra publike, situata doli jashtë kontrollit brenda pak çastesh, në momentin kur DiGuglielmo iu afrua gruas.
Të lidhura
None found
Nga pamjet filmike duket se gruaja nxjerr armën dhe hap zjarr në drejtim të veteranit, ndërsa ai ndodhej disa metra larg saj. Pas të shtënave, burri shfaqet teksa mban barkun me duar, përpara se të shembet në tokë.
Menjëherë pas ngjarjes, DiGuglielmo u dërgua me urgjencë në një spital lokal, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve që kishte marrë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë.
Pas incidentit, sipas raportimeve, gruaja mbeti në vendngjarje deri sa mbërriti policia dhe e vendosi armën mbi automjetin e saj. Dëshmitarët deklaruan se ajo ishte në gjendje të rënduar emocionale, ndërsa të dhënat paraprake tregojnë se ajo pretendon se ka vepruar në vetëmbrojtje.
Ndërkohë, autoritetet e Qarkut Broward kanë hapur hetim dhe po shqyrtojnë si pamjet filmike, ashtu edhe dëshmitë e personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Hetuesit po analizojnë të gjitha provat për të vendosur nëse ndaj autores së të shtënave do të ngrihen akuza penale. Rasti ka rikthyer debatin në Shtetet e Bashkuara lidhur me përdorimin e armëve të zjarrit dhe mënyrën se si konfliktet e përditshme mund të përfundojnë në ngjarje me pasoja fatale.
