Një skenë e filmuar më 17 qershor në Penza, qytet rajonal me rreth gjysmë milioni banorë në juglindje të Moskës, tregonte një furgon të bardhë në errësirë, ku disa burra rrinin ulur brenda, ndërsa jashtë dëgjoheshin britma, lot dhe thirrje nga gratë që përpiqeshin të kuptonin çfarë po ndodhte.
Njëra prej tyre i thërriste një ushtari me uniformë kamuflazhi teksa ai mbyllte me forcë derën e mjetit. Një tjetër, mes lotësh, bënte kryqin drejt njërit prej burrave dhe i thërriste: “Lyosha! Të dua!”
Të lidhura
None found
Gruaja që regjistroi videon pyeste nëse burrat e kishin nënshkruar kontratën me vullnetin e tyre dhe nëse ishin detyruar ta bënin këtë. Teksa furgoni niste të largohej, një grua tjetër doli përpara tij në përpjekje për ta ndaluar.
Sipas dëshmitarëve dhe familjarëve që folën për Radion Evropa e Lirë (REL), këta burra ishin ndaluar një ditë më herët në rrugë dhe më pas ishin çuar me forcë në një zyrë ushtarake rekrutimi, ku u detyruan të firmosnin kontrata për t’u dërguar në luftën në Ukrainë.
“Natyrisht, e gjithë kjo duket si detyrim i paligjshëm. Babai im nuk kishte ndër mend të shkonte në luftë; ne e biseduam këtë me të”, tha një grua. “Nuk shoh asnjë shpjegim tjetër për këtë, përveç kërcënimeve, dhunës ose trysnisë”.
Si edhe personat e tjerë që folën me REL-in, ajo kërkoi të mos i bëhej publik identiteti, ose të përdorte një emër të rremë, për të shmangur pasoja nga autoritetet.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë tashmë në vitin e pestë. Edhe pse forcat ukrainase kanë arritur t’u bëjnë ballë trupave ruse, Moska vazhdon të përballet me vështirësi për të siguruar përparime të rëndësishme në front.
Kostoja e luftës mbetet shumë e lartë për të dyja palët. Sipas inteligjencës britanike dhe vlerësimeve të tjera perëndimore, Rusia ka humbur gati 500.000 të vrarë, ndërsa numri i të plagosurve besohet të jetë të paktën dy herë më i madh.
Ndonëse të dyja vendet kanë pasur probleme në zëvendësimin e humbjeve, Rusia ka qenë më efektive, duke u mbështetur jo vetëm në nxitje financiare, por edhe në kërcënime dhe përdorim force. Megjithatë, sipas ekspertëve, këtë vit situata ka hyrë në një fazë të re.
Po shtohen zërat se Kremlini mund të ndërmarrë një mobilizim të dytë të madh, ndoshta që në vjeshtën e këtij viti, një zhvillim që do të sillte sërish tronditje të thellë në shoqërinë ruse, siç ndodhi në shtator 2022.
Në të njëjtën kohë, rekrutuesit duket se po përdorin gjithnjë e më shpesh metoda shtrënguese për t’i detyruar burrat të pranojnë pjesëmarrjen në luftë. Banorë të Penzës thonë se policia nuk po ndalon më vetëm burra në rrugë, por ka nisur edhe kontrolle derë më derë.
Lyudmila, banore e qytetit Kamenka në perëndim të Penzës, tregoi se kishte kaluar disa ditë pranë zyrës kryesore të rekrutimit në Penza në përpjekje për të gjetur djalin e saj, për të cilin tha se ishte marrë nga rruga. “Kjo është e tmerrshme. Njerëzit po rrëmbehen praktikisht. Duhet bërë diçka, por nuk e di çfarë”, u shpreh ajo.
Dy ditë pasi videoja u publikua në rrjetin social VK, autoritetet ligjzbatuese i hodhën poshtë si “të pavërteta” raportimet se burrat po detyroheshin të nënshkruanin kontrata. Më pas, videoja u fshi nga VK.
Në Ukrainë, kapja e burrave në rrugë për shërbim ushtarak dhe dërgimi i tyre në qendrat e rekrutimit ka shkaktuar debat të madh. Atje kjo praktikë njihet si “busifikim”, term i lidhur me furgonët me të cilët zyrtarët patrullojnë rrugët për të gjetur burra që i shmangen rekrutimit ose janë në moshë ushtarake.
Në Rusi, përveç dekretit të mobilizimit të përgjithshëm të shpallur nga presidenti Vladimir Putin në shtator 2022, i cili synonte kryesisht rezervistët, autoritetet kanë arritur të shmangin vendosjen e një thirrjeje të plotë të detyrueshme në shkallë kombëtare.
Për të siguruar rekrutë, autoritetet kanë përdorur kombinimin e pagesave nga buxheti federal dhe rajonal me stimuj të tjerë, duke bindur qindra mijëra burra që të nënshkruajnë vullnetarisht kontrata për luftën në Ukrainë. Këto para kanë pasur ndikim të madh sidomos në zonat më të varfra dhe më rurale të Rusisë.
Po ashtu, është ushtruar trysni mbi rekrutët, të cilët sipas rregullave nuk duhet të dërgohen në luftime, që të firmosin kontrata për shërbim ushtarak.
Autoritetet kanë shkelur gjithashtu rregullat që ndalojnë dërgimin e rekrutëve në luftë. Rekrutuesit kanë detyruar ose shtyrë të rinj të mobilizuar të nënshkruajnë kontrata vetëm pak muaj pasi kanë nisur shërbimin e detyrueshëm.
Në një rast, një rekrut i dërguar në një kamp ushtarak në ishullin Sakhalinit në Paqësor raportoi se një oficer urdhëronte marshime ndëshkuese për t’i detyruar të firmosnin, madje edhe falsifikim të nënshkrimeve në kontratat e vullnetarëve.
Një tjetër burim rekrutimi për autoritetet kanë qenë të burgosurit, të cilëve u është ofruar falje në këmbim të dërgimit në front. Gjithashtu, janë synuar edhe punëtorët migrantë, të cilëve u është premtuar rrugë e përshpejtuar drejt shtetësisë ruse nëse pranojnë të luftojnë.
Sipas ekspertëve, këtë vit ritmi i sulmeve ukrainase me dronë është afruar me ritmin e procesit rus të rekrutimit. Kjo ka detyruar rekrutuesit të rrisin pagat dhe bonuset për vullnetarët e rinj dhe, siç pretendohet në rastin e Penzës, ka nxitur përdorimin e metodave më të ashpra fizike.
Margarita, një tjetër grua nga Penza, tha se djali i saj u ndalua dhe u dërgua në qendrën e rekrutimit pa asnjë dokument. Sipas saj, dokumentacioni për ta nisur drejt Ukrainës u përgatit brenda një ore.
“Ai arriti të më telefononte dhe më tha në heshtje: ‘Po më çojnë në Ukrainë’”, i tha ajo REL-it. “E kuptoje që tashmë ishte dorëzuar për të shkuar”.
“Bërtita: ‘Pse e nënshkrove?’” tha ajo. “Ai u përgjigj: ‘Më duhej.’ Jam e sigurt që e kanë rrahur. Nuk kishte ndër mend të shkonte në luftë”.
Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se ndalimi arbitrar i burrave dhe detyrimi i tyre për të firmosur kontrata për luftë nuk kufizohet vetëm në Penza, por po shfaqet edhe në rajone të tjera.
Valery, një avokat që këshillon ushtarët për çështje ligjore, tha se burrat ndalohen nën pretekstin e verifikimit të identitetit. Sipas tij, kontrolli synon të zbulojë nëse janë në kërkim për dezertim, ose nëse janë migrantë që kanë marrë së fundmi shtetësinë ruse pa u regjistruar në zyrën vendore të rekrutimit.
“Njerëzit po rrëmbehen drejt e nga rrugët”, tha ai. “Më parë ishin kryesisht kalimtarë të dehur që shënjestroheshin, tani po marrin burra të çdo moshe dhe në çdo gjendje”. “Tani kjo është përhapur në gjithë vendin”, tha ai.
Ligji rus ua ndalon rekrutëve shërbimin në zona lufte, por sipas raportimeve ekzistojnë mënyra për ta anashkaluar këtë ndalim.
Në Vladivostok, qytet portual në Paqësor, 26-vjeçari Yaroslav Kubov u ndalua më 9 qershor teksa po kthehej në shtëpi nga festa e ditëlindjes së një shoku. Sipas të afërmit të tij Igor, dy burra të veshur civil e ftuan për të pirë një birrë dhe, pasi ai refuzoi, e kapën dhe e çuan jashtë qytetit.
Sipas Igor, Kubov u rrah dhe u qortua. Më pas, autoritetet i lëshuan një pasaportë të re dhe një kartë ushtarake dhe e transferuan në Rostov-on-Don, qytet jugor që shërben si pikë tranziti ushtarak drejt Ukrainës, nga ku ai kontaktoi familjarët pesë ditë më vonë.
Igor tha për REL-in se Yaroslav nuk kishte asnjë arsye për të dashur të luftonte në Ukrainë dhe nuk kishte nevojë për para. Ai shtoi se familjarët po paraqesin ankesa në policinë ushtarake dhe në prokurori.
Të afërmit e Yaroslav Kubov thanë se ai u mor nga rruga në Vladivostok pas një feste ditëlindjeje. Ai telefonoi javë më vonë nga një qytet perëndimor i njohur si pikë grumbullimi për trupat që nisen për në Ukrainë.
Të afërmit e Yaroslav Kubov thanë se ai u mor nga rruga në Vladivostok pas një feste ditëlindjeje. Ai telefonoi javë më vonë nga një qytet perëndimor i njohur si pikë grumbullimi për trupat që nisen për në Ukrainë.
“Nëse ai nuk arrin të arratiset, nuk do të ketë mënyrë ligjore për ta nxjerrë”, tha Igor.
Artyom Nikolayev, një tjetër banor i Penzës, tha se një i afërm i tij 53-vjeçar u ndalua teksa po kthehej vonë nga puna dhe u detyrua të nënshkruante një kontratë. Sipas tij, familja e kërkoi për tri javë, derisa ai më në fund i kontaktoi nga Rostov-on-Don.
“Ai është tronditur, dhe ne të gjithë jemi të tronditur këtu. Është thjesht e rrezikshme për burrat të ecin në rrugët e Penzës tani”, i tha ai REL-it. “Nuk ka rëndësi nëse je i moshuar, esëll, apo ke dokumente; çdokush mund të kapet”.
Arina, banore e Spaskut, një qytet në veriperëndim të Penzës, tha se më 19 qershor autoritetet thyen derën e fqinjit të saj Sergei, ndërsa po e kërkonin atë.
“Ata i bërtitën duke i kërkuar t’i tregonte dokumentet, menjëherë. Ai refuzoi, kështu që ata e thyen derën” dhe e morën në një furgon që po e priste, i tha ajo REL-it. “Nuk e di ku është tani”.
“Kjo nuk po ndodh vetëm në Penza. Policia e trafikut dhe furgonët e përmbarimit po qarkullojnë”, tha ajo. “Tani nuk janë vetëm rrugët të rrezikshme; së shpejti do të duhet të fshihemi në shtëpi për të shmangur hyrjet me forcë”.
Arina shtoi se një tjetër i afërm i saj në fshatin Kamenka u përball me policinë dhe përmbaruesit gjyqësorë, të cilët pretendonin se ai kishte borxhe kredie. Kur tentuan ta merrnin me forcë, fëmijët e tij u kapën pas tij, ndërsa gruaja u përpoq të pengonte tërheqjen e tij zvarrë.
“Ata ia përdrodhën krahun, i hodhën fëmijët mënjanë dhe e nxorën nga shtëpia. Pasi ai ishte në makinë, ajo arriti të dorëzonte kopje të dokumenteve të kredisë”, tha ajo.
“Por, ata qartësisht nuk u interesuan. Qëllimi ishte ta çonin në zyrën e rekrutimit. Si një lopë për therje”.
Sipas Artyom Klyga, avokat i organizatës joqeveritare “Conscientious Objectors”, histori të ngjashme janë dëgjuar prej vitesh, por në Penza ato kanë tërhequr vëmendje të veçantë për shkak të shkallës së bastisjeve, ndalimeve dhe reagimeve të familjarëve.
“Shpesh nuk ke nevojë ta rrahësh apo torturosh një person. Mjafton ta frikësosh me pasojat e mundshme për veten ose familjen e tij”, i tha ai REL-it. “Njerëzit janë nën presion të fortë psikologjik dhe marrin vendime nga frika”. /REL
