Papa Leoni XIV u bëri thirrje drejtuesve dhe pjesëtarëve të Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu X që të tërhiqen nga synimi për të shuguruar katër ipeshkvij të rinj pa mandat papnor, duke paralajmëruar se një hap i tillë do të përbënte një akt skizmatik për Kishën Katolike.
Mesazhi i Papës u dërgua pak para ceremonisë që ishte parashikuar të zhvillohej në Écône të Zvicrës. Në letrën drejtuar eprorit të përgjithshëm të Vëllazërisë, imzot Davide Pagliarani, ai tha se po u fliste me “zemër atërore” jo vetëm udhëheqësve, por edhe meshtarëve, seminaristëve dhe besimtarëve që i përkasin kësaj bashkësie.
Të lidhura
None found
Sipas Atit të Shenjtë, Kisha e çmon zellin e tyre apostolik dhe dëshirën për t’iu përmbajtur Traditës. Ai kujtoi se pikërisht këto janë arsye që kanë bërë që papët paraardhës të mbajnë gjithmonë një qasje të kujdesshme dhe mirëdashëse ndaj Vëllazërisë. Megjithatë, Leoni XIV i nxiti ata ta rishikojnë vendimin.
“Ju lutem dhe ju kërkoj me gjithë zemër: hiqni dorë nga kjo rrugë“, shkroi ai, duke i kërkuar të reflektojnë mbi pasojat që një veprim i tillë do të sillte për jetën shpirtërore të besimtarëve.
Sipas Papës, shugurimi i ipeshkvijve pa miratimin e Selisë së Shenjtë do t’i linte besimtarët pa mundësinë për të marrë në mënyrë të ligjshme sakramentet e nevojshme për jetën e tyre të krishterë, përfshirë në disa raste rrëfimin dhe martesën.
