Ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka arritur në vendin e ngjarjes, pasi në Liqenin e Batllavës u gjet trupi i pajetë i 25-vjeçarit që ishte raportuar i zhdukur.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se personi i zhdukur në Liqenin e Batllavës është lokalizuar në ditën e dytë të operacionit të kërkim-shpëtimit.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ishte denoncuar dje rreth orës 13:00, pasi ishte marrë informacioni se një person kishte hyrë në ujërat e Liqenit të Batllavës dhe më pas nuk ishte parë duke dalë.
“Menjëherë pas pranimit të informatës janë angazhuar të gjitha njësitë relevante policore, si dhe njësitë e tjera të kërkim-shpëtimit, me qëllim të lokalizimit të personit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sot, pas angazhimit të ekipeve të kërkim-shpëtimit, personi u nxor nga uji, ndërsa ekipi mjekësor në vendngjarje konstatoi se ai nuk kishte shenja jete.
“Në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmerren veprimet e nevojshme procedurale dhe hetimore lidhur me rastin”, ka deklaruar për KosovaPress zëdhënësi i Policisë së Kosovës për kryeqytetin, Enis Pllana.
Blerim Ruhani humbi jetën pasi u zhduk teksa po notonte. Ngjarja ishte raportuar të martën rreth orës 13:00, kur Policia e Kosovës ishte njoftuar se një person kishte hyrë në ujë dhe nuk ishte parë më duke dalë.
