Historiani Jusuf Buxhovi vlerëson se 28 qershori i vitit 1989 në Gazimestan shënoi nisjen e fundit të mitit serb për Kosovën, si edhe të politikës hegjemoniste të regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Ai rikujton se fjalimi i Millosheviqit në atë ditë hapi kapitullin e luftërave në ish-Jugosllavi, ndërsa përgjigjja e Ibrahim Rugovës, e botuar në revistën gjermane Der Spiegel, sinjalizoi dështimin e politikave serbe.
Të lidhura
None found
Sipas Buxhovit, përmbyllja historike e kësaj përballjeje ishte çlirimi i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, edhe pse, siç thekson ai, klerofashizmi serb vazhdon të përpiqet ta mbajë gjallë mitin e Kosovës përmes shënimit të Vidovdanit.
Shkrimi i plotë:
MITI I SAJUAR I KOSOVËS, KLEROFASHIZMI SERB DHE SHTETI I KOSOVËS…
Para 37 vitesh, në Gazimestan, përballë një turme serbe prej një milion vetash, Millosheviqi me deklaratën se “pas gjashtë shekujsh, prapë gjendemi para betejave dhe në beteja, të cilat nuk janë të armatosura, por sado që të tilla nuk përjashtohen”, hapi kapitullin e përgjakshëm të shkatërrimit të Jugosllavisë, me pasoja tragjike për popujt e saj.
Atë ditë, në tribunën e Gazimestanit, përpara kryesisë së shpërbërë jugosllave dhe syve të një bote të hutuar nga ajo që po ndodhte me trashëgiminë e Titos, u promovua “vozhdi” serb, i reinkarnuar nga Lazari i Kosovës për të rikthyer “lavdinë historike serbe” dhe, siç u tha, “misionarizmin e serbëve për ta mbrojtur qytetërimin europian” (kuptohet nga shqiptarët pushtues të tokave të shenjta serbe)!
Në të njëjtën kohë, diku pranë Gazimestanit, dr. Ibrahim Rugova, atëherë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, në një intervistë historike për magazinin gjerman “Der Spiegel”, ndër të rrallët, në emër të ndërgjegjes intelektuale, historike, kulturore dhe politike, ndonëse pa mandat të saj, iu përgjigj kërcënimeve të Millosheviqit ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në festën klerofashiste të Vidovdanit serb.
Shkurtimisht, kundërpërgjigjja e Dr Rugovës ndaj Millosheviqit, në të përjavshmen më të fuqishme gjermane dhe europiane të kohës, ishte se më 23 mars të atij viti, Millosheviqi, me tanke dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, e rrënoi autonominë e Kosovës si njësi federative. Me këtë, ai kreu puç ndaj kushtetutës jugosllave. Ky veprim nga shqiptarët shihet si ripushtim i Kosovës, pas atij të vitit 1945. Me këtë rast, Rugova u tërhiqte vërejtjen serbëve se “sa herë ndonjë popull i vogël, e të tillë janë edhe serbët, kanë provuar të vejnë hegjemoni në Ballkan, kanë përfunduar tragjikisht”.
Kështu, orgjia klerofashiste serbe e qershorit të vitit 1989 përfundoi pikërisht siç kishte parashikuar dr Rugova në magazinin gjerman. Por, nga këndvështrimi i sotëm historik, Gazimestani nxori në pah dy prej akterëve më të rëndësishëm të saj, të cilët shënuan epoka me kahe të kundërta.
Në njërën anë ishte Millosheviqi, humbësi i saj, i cili në vitin 2003, si president i mbetjes jugosllave, përfundoi në Trtibunalin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte kundër njerëzimit, ku edhe vdiq gjatë procesit në vitin 2006.
Në anën tjetër ishte dr Ibrahim Rugova, lideri historik i shqiptarëve, i cili, me themelimin e LDKs-ë më 23 dhjetor të vitit 1989, me mandatin e votës së lirë nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të viteve 1992 dhe 1998, mori përgjegjësinë historike të rezistencës institucionale-aktive paqësore, me shtetin paralel, deri te ajo e armatosur, që solli ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.
Mund të thuhet se historia mes demistifikimit të mitit të sajuar serb të Kosovës për synime hegjemoniste dhe çlirimit të Kosovës prej tij, me epilog shtetin e pavarur të Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, fillimin e fundit e pati më 28 qershor 1989 në Gazimestan.
Megjithatë, ky kapërcim i jashtëzakonshëm historik ka lënë pas frymën e klerofashizmit serb, i cili në çdo Vidovdan përpiqet që në Kosovë ta mbajë të gjallë mitin mesjetar të “Kosovës djep historik serb”, ndonëse realiteti, shteti i Kosovës dhe përkatësia perëndimore e shqiptarëve, e ka zhvlerësuar atë deri në anakronizëm!
