Pas afro dy dekadash funksionimi të suksesshëm të Universitetit të Prishtinës, periudha 1989-1990 shënoi nisjen e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për rrënimin e arsimit të lartë në Kosovë.
Me ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në udhëheqje të Serbisë, arsimi shqip në Kosovë, e sidomos Universiteti i Prishtinës, u përball me goditje të rënda që e çuan situatën deri te rrezikimi serioz, në përmasa të shkatërrimit të arsimit në gjuhën shqipe.
Të lidhura
None found
Pushteti serb me qasje nacionaliste u angazhua në ndryshimin dhe ndalimin e shkollës shqipe në Kosovë. Në të njëjtën kohë, gjendja në universitet u rëndua gjithnjë e më shumë, paralelisht me përkeqësimin e situatës në mbarë Kosovën.
Qendra Universitare nuk përbënte më një vend të sigurt për studentët dhe profesorët shqiptarë. Menjëherë pas përfundimit të semestrit veror të vitit akademik 1990/91, më 28 qershor 1991, Kuvendi i Serbisë vendosi masa të dhunshme në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin e ri akademik, drejtimi i dhunshëm, i dominuar nga kuadro serbo-malaziase, e shtoi numrin e studentëve me 923 të rinj, kryesisht serbë të sjellë nga rajone të ndryshme të Serbisë dhe Malit të Zi.
Më 21 gusht 1991, grupi i Helsinkit në Vjenë publikoi një deklaratë ku theksohej se arsimi shqiptar në Kosovë nuk ekziston më dhe se ishte shkatërruar nga Serbia. Megjithatë, me fillimin e vitit 1992, synohej të gjendeshin mundësitë dhe format që shkolla shqipe të niste sërish aktivitetin.
Më 14 shkurt 1992, Universiteti i Prishtinës bëri të ditur se mësimi në nivelin universitar në shkollat shtëpi do të niste më 17 shkurt të atij viti.
