Detaje të reja kanë dalë nga dosja penale Nr.4099, që lidhet me një grup Call Center-ash të vendosur në kompleksin “Delijorgji” në Tiranë, të cilët dyshohet se kanë mashtruar dhjetëra qytetarë nga Kanadaja dhe Anglia përmes një IP-je të identifikuar si aktive në Londër.
Edhe pse ambienti ku punonin operatorët ndodhej fizikisht në Tiranë, hetimet kanë provuar se IP-ja e përdorur nga ky aktivitet i paligjshëm rezultonte e vendosur në Angli.
Të lidhura
None found
Pas kallëzimeve dhe verifikimeve të kryera, prokurori i Tiranës, Bledar Velikaj, ka zgjeruar hetimet ndaj personave që posedonin këtë pikë Call Center-i, ndërsa qytetarë të ndryshëm dyshohet se janë mashtruar dhe kanë humbur kursimet e tyre pas vetëm një telefonate.
Për këtë çështje janë arrestuar dhe ndodhen në burg Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Elio Dyrmishi dhe Marjo Myftari. Ata akuzohen për “Mashtrim kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehje të ardhurash”.
Sipas të dhënave të hetimit, Ernest Kurti njihet me nofkën “Maksi” dhe kishte rolin e menaxherit, Marjo Myftari ishte agjent, Amanti Jeshili shërbente si “IT”, ndërsa Eljo Dyrmishi merrej me suportin.
Personat e ndaluar kishin rol organizativ në administrimin e sallës së Call Center-ave dhe, sipas dosjes, fshiheshin pas identiteteve të rreme si “Maks”, “Majkëll”, “Xhejson”, “Olivia”, “Neit”, “Elsa”, “Belvedero” dhe “Grifin”.
Në dosjen hetimore paraqitet edhe mënyra se si rekrutoheshin punonjësit përmes faqes së Instagramit “DUA PUNË”, si funksiononte skema e mashtrimit ndaj qytetarëve nga Kanadaja, Anglia dhe vende të tjera europiane, si edhe mënyra e pagesës së punonjësve.
Një prej operatorëve, Klajdi B., ka deklaruar në Policinë e Tiranës se vendin e punës e kishte mësuar në “Instagram”, ku kishte lënë takim dhe ishte pritur nga një djalë që i kishte bërë intervistën, i prezantuar me emrin “Maks”, por emrin e vërtetë nuk e dinte. Sipas tij, në fillim kishte dëgjuar operatorët e tjerë teksa flisnin për investime në bursë dhe klientët ishin kryesisht shtetas kanadezë. Ai ka treguar se operatorët u ofronin investime në kriptovalutë duke u premtuar fitime 2 ose 3 fish më të larta se shuma e investuar. Kur klienti pranonte, fillimisht investonte rreth 250 dollarë dhe më pas kalohej te një operator tjetër i quajtur “Retention”, ndërsa për vijimin ai ka thënë se nuk kishte dijeni.
Edhe operatori tjetër, Serxhio M, ka dëshmuar në Policinë e Tiranës se puna që kryente ishte “Recovery”, që konsistonte në kontaktimin e personave që kishin humbur para në investime dhe u premtohej rikthimi i tyre. Sipas tij, kjo ishte mashtrim pasi nuk u kthehej asgjë dhe fillimisht u merreshin 200 euro, pastaj kalonin te persona të tjerë të panjohur. Ai ka deklaruar se intervistën dhe punësimin ia kishte bërë Ernest Kurti, i cili ishte edhe menaxher i subjektit. Pagesa jepej “cash” në fillim të javës së parë të muajit të ri dhe ishte 1000 euro. Sipas dëshmisë së tij, Ernest Kurti caktonte rregullat dhe mënyrën e punës, ndërsa Elio Dyrmishi merrej me suportin teknik të rrjetit dhe pajisjeve kompjuterike.
Sipas dosjes hetimore, deklarimet e personave të gjetur në ambientet e kontrolluara, procesverbalet e këqyrjes dhe materialet e sekuestruara krijojnë dyshimin e arsyeshëm se Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Elio Dyrmishi dhe Marjo Myftari kanë organizuar dhe ushtruar një veprimtari të strukturuar përmes sistemeve kompjuterike dhe platformave online, me synim përfitimin e padrejtë pasuror në dëm të shtetasve të huaj.
Gjatë kontrollit në ambientet e përshtatura si “Call Center” u gjetën 94 njësi kompjuterike, laptopë, telefona celularë, databaza me të dhëna personale të shtetasve të huaj, si dhe programe e platforma të përdorura për komunikim me klientë potencialë.
Nga deklarimet e punonjësve ka rezultuar se operatorët kontaktonin persona të huaj, kryesisht kanadezë, duke u premtuar ose rikuperimin e humbjeve të mëparshme financiare, ose fitime të mëdha nga investime në bursa dhe kriptovaluta.
Nga dëshmitë e shtetasve Noel Sulollari, Heljos Reka, Serxhio Meta, Adrian Elezaj, Klejdi Balla, Brikena Myftari, David Kapxhiu, Jeton Mziu dhe shumë punonjësve të tjerë del se operatorët kontaktonin shtetas të huaj, kryesisht nga Kanadaja, Anglia dhe vende të tjera, duke iu prezantuar mundësi investimi në bursa, kriptovaluta, forex ose duke iu premtuar rikuperimin e humbjeve të mëparshme financiare.
Sipas materialeve hetimore, këtyre qytetarëve u shfaqeshin platforma fiktive ku paraqiteshin në mënyrë të rreme shuma monetare apo fitime të pretenduara, me qëllim që të binden të kryenin pagesa ose investime të tjera.
Punonjësit kanë deklaruar gjithashtu se, pasi viktimat investonin shumat e kërkuara, fondet nuk u ktheheshin dhe më pas komunikimi ndërpritej.
Këto rrethana, sipas dosjes, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se aktiviteti i zhvilluar në këto ambiente kishte natyrë mashtruese dhe realizohej përmes përdorimit të sistemeve kompjuterike dhe platformave elektronike, duke ngritur dyshime të arsyeshme se janë konsumuar elementët e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik” të kryer në formën e bashkëpunimit.
