Një ngjarje e rëndë me armë zjarri në një bibliotekë në Kaliforninë Veriore ka lënë pas dy persona të vdekur dhe një fëmijë me plagë të lehta, ndërsa i dyshuari është vënë në pranga nga policia.
Sipas autoriteteve vendore, incidenti u regjistrua rreth orës 17:00, sipas orës lokale, në Bibliotekën e Qarkut Butte në qytetin Chico.
Të lidhura
None found
Gjatë një konference për mediat, shefi i Policisë së Chico-s, Billy Aldridge, bëri të ditur se efektivët morën sinjalizime për të shtëna dhe për britma që vinin nga ambientet e brendshme të bibliotekës.
Pas ndërhyrjes së policisë në godinë, personi i dyshuar doli nga dera e pasme e bibliotekës, por u ndalua menjëherë nga oficerët që ndodheshin në atë pjesë të objektit.
“Ky incident është jashtëzakonisht i trishtueshëm dhe traumatik për shumë njerëz në komunitetin tonë”, u shpreh Aldridge.
Autoritetet kanë konfirmuar se dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një fëmijë është dërguar në spital me lëndime të lehta. Identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike, pasi autoritetet janë në pritje të njoftimit të familjarëve.
Ndërkohë, ende nuk janë dhënë informacione për identitetin e autorit apo për motivin e sulmit, megjithëse hetuesit dyshojnë se ai ka vepruar i vetëm.
Qarku Butte u ka kërkuar banorëve të shmangin zonën dhe ka njoftuar se të gjitha degët e bibliotekës do të mbeten të mbyllura deri në një njoftim të ri.
