Që nga 1 korriku do të zbatohet ndalesa për lëvizje nëpër pyje pa lejen përkatëse, si një masë që synon të pengojë përhapjen e zjarreve gjatë stinës së verës. Ky vendim i Qeverisë është marrë për shkak të temperaturave të larta dhe rritjes së rrezikut për shpërthim zjarresh në zonat pyjore.
Sipas institucioneve përgjegjëse, kjo masë është vendosur për të shmangur dëme të mëdha në mjedis dhe për të ruajtur fondin pyjor të vendit gjatë muajve të verës.
Të lidhura
None found
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, ka bërë të ditur se institucionet e kanë nisur sezonin e zjarreve të përgatitura dhe të organizuara. Megjithatë, ai nënvizon se në rast të zjarreve me përmasa të mëdha, kapacitetet në dispozicion mund të mos rezultojnë të mjaftueshme.
“Edhe vitin e kaluar ishim mirë të organizuar por edhe këtë vit jemi të organizuar. Të gjitha resurset që i posedojmë, duke filluar nga ato njerëzorë por edhe automjete, aeroplanë dhe helikopterë do ti kemi në dispozicion. Për atë se a mjaftojnë këto resurse, sigurisht që jo. Shtete shumë më të forta ekonomikisht se ne, siç është Greqia dhe Turqia, çdo verë kërkojnë ndihmë për shkak të zjarreve. Pra, kam frikë se edhe këtë verë resurset nuk do të mjaftojnë por është e pamundur që shteti të ketë aq resurse sa shtetit do t’i nevojiten gjatë verës”, deklaroi Stojançe Angelov – Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve që të mos ndezin zjarr në hapësira të hapura, të jenë të kujdesshëm gjatë qëndrimit në natyrë dhe të njoftojnë menjëherë për çdo rast që mund të rrezikojë pyjet. Për ata që nuk respektojnë rregullat, parashikohen masa dhe sanksione në përputhje me ligjin.
Gjatë vitit të kaluar, në vendin tonë janë djegur afro 95 mijë hektarë pyje dhe sipërfaqe me bimësi, si pasojë e më shumë se 130 zjarreve pyjore të evidentuara në gjithë territorin e vendit.
