Ministria e Shëndetësisë deklaron se vijon përpjekjet për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve me diabet, përmes ofrimit të trajtimeve moderne, pajisjeve mjekësore ndihmëse dhe kushteve më të përshtatshme për ndjekjen e vazhdueshme të sëmundjes.
Sipas MSH-së, 800 persona të diagnostikuar me diabet të tipit 1 janë pajisur me sensorë për matjen e glikemisë. Kjo masë është ndërmarrë në bazë të Programit për Diabetin dhe rekomandimeve të Komisionit Kombëtar për Diabetin.
Të lidhura
None found
Ministria bën të ditur se procedura e prokurimit publik për këtë qëllim ka përfunduar me nënshkrimin e kontratës në prill të këtij viti, e cila do të jetë në fuqi deri në prill të vitit 2028. Përmes prokurimit të fundit është siguruar gjithashtu terapi moderne me insulinë dhe medikamente antidiabetike, në volume më të mëdha.
Gjatë majit dhe qershorit të këtij viti u bë ndërrimi i të gjithë transmetuesve, sipas kërkesave të protokollit. Ndërkohë, pacientëve të përfshirë në Program iu dorëzuan sensorë në sasi të mjaftueshme për gjashtë muaj, deri në dhjetor të vitit 2026. Shpërndarja bëhet në barnatoret e insulinës, në bazë të regjimit të përcaktuar.
Përfitues janë personat me diabet të tipit 1 deri në moshën 25 vjeç, gratë shtatzëna që vuajnë nga diabeti i tipit 1, personat e verbër me këtë diagnozë, si dhe pacientët me diabet të tipit 1 që kanë komplikime ose sëmundje të rënda shoqëruese.
MSH thekson se përzgjedhja e këtyre kategorive është bërë duke marrë parasysh fondet buxhetore në dispozicion, me synim garantimin e kontrollit të pandërprerë të nivelit të glikemisë dhe administrimin më të mirë të sëmundjes.






