Prokuroria Speciale e Kosovës ka paralajmëruar se shumë shpejt pritet të ngrejë aktakuzë për krimin e kryer ndaj familjes Jashari në mars të vitit 1998.
Ky institucion nuk ka bërë publike hollësi të shumta për rastin, por ka theksuar se çështja po trajtohet me prioritet dhe se do të përmbyllet së afërmi me ngritjen e aktakuzës.
Të lidhura
None found
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se rasti është duke u trajtuar me prioritet dhe se shumë shpejt, do të finalizohet me ngritjen e aktakuzës.”
Në këtë ngjarje mbetën të vrarë 55 persona, ndërsa 22 prej tyre ishin familjarë të afërt të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili prej kohësh ishte vënë në shënjestër të shtetit serb.
Avokati Visar Rrecaj ka deklaruar se PSRK-ja tashmë i ka marrë dëshmitë nga dëshmitarët që janë ende gjallë, ndërsa ka nënvizuar se përmbajtja e aktakuzës do të ketë rëndësi të veçantë.
“Rëndësia e një aktakuze të paralajmëruar nga Prokuroria Speciale është tejet e veçantë si në aspektin juridik po ashtu edhe kombëtar dhe në aspektin shtetëror që me i dhënë epilog ngjarjes së familjes Jashari të ndodhur më 1998, a është e vonuar për atë pjesë mund të diskutohet por për drejtësinë dhe sistemin e drejtësisë e rëndësishme është që të jetë e kompletuar në detaje që të mos i mungojë asgjë sepse epilogu përfundimtar do të proklamohet edhe në skenën ndërkombëtare”, ka thënë avokati, Visar Rrecaj për Dukagjinin.
Njoftimi për ngritjen e aktakuzës për sulmin ndaj familjes Jashari është mirëpritur edhe nga organizata e veteranëve të UÇK-së, ndonëse aty vlerësohet se një veprim i tillë është dashur të ndodhte vite më herët.
“Është vonuar ky rast shumë jo vetëm ky rasti te lagjia Jashari dhe familja Jashari por në tërë Kosovën, janë vonuar gjykatat tona dhe supreme e Kosovës, por sido kudo unë e përshëndes dhe e mirëpres jemi mirënjohës shumë për drejtësinë që të hetohet rasti masakra në Prekaz në familjen Jasashri, që prokurorët tonë të marrin në dorë dhe të hetojnë”, ka thënë kreu i UÇK-së, Hysni Gucati.
Hetimet për krimet e luftës më herët janë zhvilluar nga UNMIK-u dhe më pas nga EULEX-i, ndërsa që nga viti 2018 këto kompetenca i ka marrë Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila ka një departament të posaçëm për trajtimin e tyre.
