Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka deklaruar se çdo person që mund të ketë dështuar apo bërë lëshime gjatë trajtimit të rastit të Arlinda Zekajt do të mbajë përgjegjësi, nëse hetimi konstaton shkelje.
Gjatë një interviste në emisionin Debat Plus, Gashi njoftoi se brenda zyrës së tij është caktuar një koordinator, i cili do të verifikojë të gjitha veprimet hetimore që prej nisjes së rastit.
Të lidhura
None found
“Çdo hallkë që ka dështuar ose ka pasur mangësi profesionale do të japë llogari për lëshimet e bëra. Koordinatori në zyrën tonë është autorizuar të shqyrtojë të gjitha veprimet hetimore, nga fillimi deri në fund, duke përfshirë Policinë dhe shërbimet e tjera sociale”, ka thënë Gashi.
Ai ka bërë të ditur se një njoftim për masat ndaj personave përgjegjës mund të publikohet brenda disa ditësh, të mërkurën ose të enjten, nëse evidentohen lëshime.
“Brenda disa ditëve, nesër ose pasnesër, do të dalim me një deklaratë lidhur me veprimet që do të ndërmarrim ndaj personave përgjegjës, nëse ka lëshime eventuale”, është shprehur Gashi.
Gashi ka theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë situatën, duke sqaruar se përgjegjësia mund të jetë disiplinore, përfshirë edhe shkarkimin, por edhe penale nëse zbulohen elemente të dyshimit për ndonjë lëshim. “Personat do të jenë përgjegjës para ligjit. Këtë e garantoj para gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar ai.




