Zvicra ka bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt kalimit në fazën eliminatore të Kupës së Botës, pasi në Los Angeles triumfoi 4-1 kundër Bosnjës dhe Hercegovinës.
Protagonisti kryesor i mbrëmjes ishte Johan Manzambi. Mesfushori 20-vjeçar i Freiburgut u fut në lojë nga banka rezervë në minutën e 71-të dhe vetëm tre minuta më pas realizoi golin e tij të parë. Në minutën e 90-të ai shënoi sërish, duke i dhënë vulën suksesit të thellë të helvetikëve.
Të lidhura
None found
Përfaqësuesja zvicerane gjeti rrjetën edhe me Ruben Vargasin dhe kapitenin Granit Xhaka, ndërsa pas ndeshjes Manzambi e përshkroi këtë si mbrëmjen më të veçantë të karrierës së tij.
“Po, ky është ndoshta momenti më i mirë i karrierës sime deri më tani. E dinim se nuk e nisëm mirë dhe duhej të ishim të duruar. Por ne jemi një ekip i mirë dhe mendoj se e treguam këtë sonte”, u shpreh 20-vjeçari.
Falë këtij suksesi, Zvicra ka arritur në kuotën e katër pikëve dhe tashmë ndodhet shumë afër sigurimit të kualifikimit në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Në ndeshjen e fundit, zviceranët do të përballen me vendin mikpritës, Kanadanë, në një takim që pritet të përcaktojë renditjen përfundimtare të grupit.
Nga krahu tjetër, Bosnja dhe Hercegovina do ta kërkojë patjetër fitoren ndaj Katarit në sfidën e fundit, për të mbajtur ende të hapura shpresat për kualifikim.
