Policia e Durrësit njofton se një 31-vjeçare nga Kosova është gjetur pa shenja jete në ambientet e një hoteli. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi mjekoligjore, e cila pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
Për ngjarjen ka nisur nisur procedimin penal ndaj dy administratorëve të hotelit, shtetasve V. E., 38 vjeç dhe A. Sh., 34 vjeç, banues në Durrës.
Viktima, e identifikuar me inicialet J. H., dyshohet se qëndronte në ambientet e këtij hoteli që prej muajit dhjetor 2025. Ndërkohë, nga hetimet paraprake rezulton se dy administratorët nuk kishin lëshuar kupon tatimor për dhënien me qira të dhomës ku qëndronte 31-vjeçarja. Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vlerësim të mëtejshëm, ndërsa hetimet vijojnë në disa pista.
Njoftimi:
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve V. E., 38 vjeç, dhe A. Sh., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, administratorë të një hoteli në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pasi:
Ditën e djeshme, në ambientet e këtij hoteli është gjetur pa shenja jete shtetasja kosovare J. H., 31 vjeçe. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 2 administratorët nuk kanë lëshuar kupon tatimor për dhënien me qira të ambientit, ku shtetasja qëndronte prej muajit dhjetor 2025.
Materialet u referuan në Prokurori për vlerësim, ndërkohë që priten rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes së 31-vjeçares.
