Humbi aleatin e radhës, Putin reagon pas eliminimit të Khameneit: Vrasje cinike! U shkelën normat e moralit njerëzor

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se eliminimi i udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, dhe anëtarëve të familjes së tij ishte një vrasje “cinike” që shkelte të gjitha normat e moralit njerëzor dhe të drejtën ndërkombëtare.

“Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të thella në lidhje me vrasjen e Liderit Suprem të Republikës Islamike të Iranit, Seyed Ali Khamenei, dhe anëtarëve të familjes së tij, e kryer në shkelje cinike të të gjitha normave të moralit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare”, tha Putin në një shënim drejtuar homologut iranian Masoud Pezeshkian të publikuar nga Kremlini.

Khamenei u vra të shtunën, në moshën 86 vjeç, njoftoi media shtetërore iraniane, në sulmet ajrore të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

“Në vendin tonë, Ajatollah Khamenei do të mbahet mend si një burrë shteti i shquar që dha një kontribut të madh personal në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore ruso-iraniane dhe në sjelljen e tyre në nivelin e një partneriteti strategjik gjithëpërfshirës”, tha Putin.

“Ju kërkoj të shprehni ngushëllimet dhe mbështetjen time më të sinqertë familjes dhe miqve të Udhëheqësit Suprem, qeverisë dhe të gjithë popullit të Iranit.”

Khamenei wshtw aleati i radhws qw Moska ka humbur nw mesin e zhvillimeve gjeopolitike.

Në 8 dhjetor të vitit 2024 regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad ra pas kryengritjeve të armatosura, ndërsa ai vetë u arratis drejt Moskës, ku besohet se ndodhet edhe sot.

Ndërkaq, në janar të këtij viti, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro u arrestua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një operacion të miratuar nga presidenti Donald Trump, duke bërë që Putin të humbë një aleat të rëndësishëm në rajonin e Amerikës së Jugut.


Shtuar 1.03.2026 13:30