Po sikur Linda Karçanaj të jetë e pafajshme? Rama mbron ish-drejtoreshën e AKSHI-t: Po i vënë në kurriz vila, por jeton në shtëpi me qira

Kryeministri Edi Rama, u ndal edhe tek dosja e AKSHI-t, ku i doli në mbrojtje ish drejtoreshës, Mirlinda Karçanaj, duke thënë se çfarë do të ndodhë nëse ajo shpallet e pafajshme.

Rama theksoi se nuk dëshiron të komentojë përmbajtjen e hetimit, por ngriti shqetësimin për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet publikisht institucioni dhe stafi i tij.

Kreu i qeverisë vuri theksin te parimi i prezumimit të pafajësisë, duke deklaruar se çdo person ka të drejtë të hetohet si i pafajshëm deri në provën e kundërt.

“Kam folur edhe për AKSHI-n dhe drejtoreshën që ndodhet në arrest shtëpie, nuk dua te them asgjë për përmbajtën e çështjes, por di të them një gjë që ky shtet nuk mund të jetë vendi ku një institucion krenarie si AKSHI, të bëhet shesh për të mbytur psikologjikisht inxhiniere dhe vajza e djem që me në krye drejtoren e atij institucioni kanë punuar pa orar, duke bërë punë.

Njerëzit kanë të drejtë të prezumohen të pafajshëm dhe t`u jepet mundësia të hetohen të pafajshëm derisa të provohet ose jo fajësia e tyre.

Po sikur Linda Karcanaj të jetë krejt e pafajshëm dhe jo një kriminele, pjesë e një grupi të strukturuar, si personazhi që ka krijuar për të nguti për ta arrestuar dhe për ta masakruar me bomba artizanale, tenxhere më tenxhere, duke i vënë në kurriz vila e makina, ndërkohë që jeton në shtëpi me qira dhe që sic mora vesh as nuk e nget makinë dhe nuk e ka një të tillë”, tha Rama.


Shtuar 26.02.2026 12:16