Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur mesditën e sotme në mbikalimin e Patokut, në superstradën Milot-Fushë Krujë.
Sipas informacioneve paraprake, një person ende i paidentifikuar, ka humbur jetën teksa udhëtonte me një motoçikletë.
Dyshohet se drejtuesi i motoçikletës i cili po lëvizte në kahun e kundërt të rrugës, është përplasur me një kamion që udhëtonte në drejtim të Lezhës. Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i motoçikletës ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
